Bajern Mynihu i ka dërguar çekun e radhës presidentit të Totenhemit, Daniel Levi, rreth nënshkrimit me goleadorin e “gjelave”, Herri Kejn. Edhe pse në këtë rast propozimi i kampionëve të Bundesligës është shqyrtuar, përfundimi nuk ka ndryshuar, refuzim.
Shuma korrespondon me kuotën e 80 milionë eurove, puls bonuset në varësi të performancës te Bajerni. Shefi i londinezëve nuk e ka ndërmend të lërë të lirë lojtarin më të vlefshëm në ekip dhe kësisoj po përpiqet t’u rezistojë tundimeve nga pala e rekordmenëve.
PRETENDIMI I ÇMENDUR- Prestigjiozja angleze, “Daily Mail”, thekson se Levi aspiron 120 milionë paund në “lejen” e 29- vjeçarit për t’u larguar, çka konsiston në 140 milionë euro. Vështirë të imagjinohet e jo më të ndodhë se Bajerni do të jetë në gjendje për të adresuar një çmim të tillë, aq më pak ndaj një personazhi, të cilit po i fillojnë “thinjat” e para në vigjilje të moshës, gati të 30-ave.
OFERTA E 3-të?- Mbetet e paqartë se çfarë reagimi do të japë refuzimi i radhës tek Hënes me shokë, pra a do të jenë në gjendje financiare dhe rezistuese për të kënaqur kapriçot e numrit 1 të detyrave ekzekutive në bordin e londinezëve apo do të hedhin “grepin” te të tjera alternativa për të zëvendësuar hendekun e bomberit në “Allianz Arena”.
SKADENCA E KONTRATËS- Edhe pse e ndajnë më pak se një vit nga përfundimi i kontratës mes protagonistit me numër 10, në gjirin e Totenhemit, dozat e qëndrueshmërisë janë të frikshme nga pala e londinezëve, ndonëse vera e 2024- ës mund të rezultojë “e hidhur” për zhvendosjen e shënuesit më të mirë në “Tottenham Hotspur Stadium” pa asnjë kacidhe të vetme.
MARRËVESHJA E SUPOZUAR- “Bild” e bëri fakt të kryer se Tomas Tuhel-Hasan SalihamixhiçHerri Kejn kishin rënë dakord në muajin maj rreth lëvizjes, por deri në këtë pikë, aksi Mynih-Londër nuk ka shfaqur aspak shenja bashkëpunimi, qoftë edhe nga vetë Kejni mbi insistimin te presidenti i klubit.
Po ashtu nuk ka asnjë manovër evidente në lidhje me gjobën e mundshme të UEFA-s në kontaktin e paautorizuar me shtatlartin e “tre luanëve”, që i është lënë në dorë Daniel Levit.
Herri ndodhet me pushime dhe përfshirja me grupin në ditët e para të fazës përgatitore do të japë verdiktin final, nëse do të vazhdojë aventurën futbollistike me “gjelat” apo do të ndërmarrë hapin konkret për të sfiduar veten në një terren më të thjeshtë në spektrin e finalizimeve, por aty ku presioni merr të tjera përmasa, si rezultat i objektivave dhe pritshmërive nga kampi i tifozëve bavarezë.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL