Ka nënshkrime lojtarësh që mund të ndryshojnë historinë e një klubi, lojtarë që lënë gjurmë sapo vijnë. Ky ishte rasti i Kristiano Ronaldos 15 vite më parë dhe gjithçka tregon se pas tij do të jetë ai i Kilië Mbapesë.
Reali ka nënshkruar dje me një nga lojtarët më të mirë në botë aktualisht dhe e ka prezantuar atë me stil para fansave të tij. Një prezantim që ka pasur ngjashmëri dhe dallime me atë që ndodhi në atë pritje mitike për yllin portugez 15 vjet e 10 ditë të shkuara. 6 korrik 2009, 16 korrik 2024! Dy momente në historinë e klubit të bardhë.
ATMOSFERA NË “BERNABEU” – Prezantimi i Kristiano Ronaldos ishte më 6 korrik 2009 në orën 21:00. Një moment në të cilin Reali nisi një fazë të re në historinë e tij dhe ylli i tij i madh u shfaq i veshur me të bardha dhe me numrin nëntë në shpinë. Një moment që askush nuk donte ta humbiste dhe që në mëngjes herët mblodhi 85 mijë shikues në “Bernabeu”. Një atmosferë që është përsëritur pak më shumë se 15 vjet më vonë, kur dje, 16 korrik 2024 në orën 12:00, u prezantua Mbape. Një skenë e re për klubin e bardhë që nis në të njëjtën mënyrë, me futbollistin e veshur me të bardha dhe me numrin nëntë në shpinë, i cili ka mbledhur mijëra tifozë në dyert e tempullit të bardhë (80 mijë shikues).
LEGJENDAT E PRANISHME – Ashtu si shumë tifozë të tjerë që nuk kanë dashur të humbasin këtë event, dy legjendat e futbollit botëror, Alfredo Di Stefano dhe Eusebio vendosën të shoqërojnë Ronaldon në foltore. Në rastin e Mbapes skena ka qenë e ngjashme dhe ai shoqërohej nga dy legjenda të futbollit dhe në këtë rast të dy lojtarët e Realit të Madridit. Hoze Martinez “Pirri” dhe Zinedin Zidane e shoqëruan francezin në ditën e tij të parë në kryeqytetin spanjoll si lojtar i bardhë. I pari si President Nderi, post që e mban që nga 17 korriku 2023 dhe i dyti ishte një nga galaktikët e Madridit në fillim të shekullit.
NJË FJALIM GATI IDENTIK – Aty ku janë parë më shumë ngjashmëri kanë qenë në fjalimet e të dy futbollistëve. Ronaldo ishte shumë i qartë që në fillim: “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe për mua kam përmbushur ëndrrën time si fëmijë, që ishte të luaja për Madridin”, tha ai në ndërhyrjen e tij të parë teksa vëzhgonte stadiumin e mbushur plot. Një frazë e ngjashme me ëndrrën që ka pasur gjithë jetën edhe Mbape.
“Kam fjetur për shumë vite me ëndrrën për të luajtur për Realin dhe kjo bëhet realitet, jam një djalë shumë i lumtur sot”, deklaroi ai nga “tempulli i bardhë”. Një iluzion që duket nga një epokë tjetër dhe do të duhet të shohim nëse janë të vetmet ngjashmëri mes Ronaldos që ka ikur dhe Mbapesë që mbërrin si lojtar i Realit. Një garë që ka nisur!
PANORAMASPORT.AL