Ivan Juric, trajner i ri i Southampton-it, foli për herë të parë në një konferencë shtypin për përvojën e tij të re. 49-vjeçari, i cili para disa ditësh firmosi një kontratë 18-mujore, ndoqi nga tribuna ndeshjen kundër Fulham-it dhe është i vetëdijshëm që do të ketë një detyrë të vështirë: ‘Saints’ janë tetë pikë larg shpëtimit:
“E di që do të jetë një punë shumë e vështirë. Në histori, askush nuk ka mbijetuar në Premier League duke filluar nga kjo situatë,” tha ai.
“Unë mendoj se ka shumë lojtarë të mirë dhe mund të bëjmë shumë më mirë në disa momente të ndeshjes. Jam optimist. Kundër Fulham-it kam parë një mentalitet tjetër dhe ky është hapi i parë për të bërë më mirë.
Mendoj se mund të bëjmë diçka të jashtëzakonshme dhe djemtë duhet të jenë shumë të motivuar për të bërë diçka që askush nuk e ka bërë. Kam parë gjëra të mira dhe më pak të mira, por ka potencial. Ajo që më pëlqen vërtet të bëj është të përmirësoj lojtarët. Jam obsesionuar: nëse më jep një lojtar që vlera e tij është pesë, pas një viti është tetë. Më pëlqen të punoj dhe të analizoj.”
Kroati lidh filozofinë e tij të lojës me ‘death metal’, zhanrin e tij të preferuar muzikor në rininë e tij:
“Është një stil me presion të lartë. Ajo që dua nga skuadra ime është që të jetë shumë konkurruese, solide dhe me kohën do të përmirësohemi në mbajtjen e topit dhe në sulm. Gjëja e parë që dua është të bëhemi konkurrues në çdo ndeshje. Ndoshta njerëzit nuk e dinë punën që kam bërë në Torino ose në Verona, sepse nuk luajtëm në Europë, por stili im është ai i Atalantës. Duam të bëjmë presion lart dhe të luajmë mirë.”
Juric pastaj zbuloi se ishte kontaktuar për herë të parë nga Southampton-i dy vjet më parë:
“Ishte hera e parë që fillova të mendoj për Southampton-in. Në atë kohë isha trajner i Torinos dhe mbeta atje, por gjithmonë më ka pëlqyer të mendoj për Southampton-in. Njoh shumë lojtarë për këtë arsye. Ishte dëshira ime të vija këtu.”