Federata Shqiptare e Futbolli prezantoi sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” projektin e ri të ekipeve Kombëtare të vajzave, që lidhet ngushtë me lançimin e Strategjisë së Futbollit të Vajzave “Rising Stars 2023-2026”, të prezantuar nga FSHF në nëntorin e vitit 2023.
Të pranishëm në prezantimin e projektit të ri të ekipeve Kombëtare të vajzave ishin anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, trajneri i Kombëtares A të vajzave, Armir Grima, si edhe Presidentë e përfaqësues të klubeve të “Abissnet Superiore” për vajza.
Fillimisht Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea prezantoi ndryshimet në Sektorin e Futbollit të Femrave në FSHF. Trajneri i ekipit Kombëtar A, Armir Grima, do të jetë edhe Koordinatori Teknik i projektit të ri për ekipet Kombëtare të vajzave. Luçije Gjini do të marrë drejtimin e Kombëtares U-19 të vajzave, ndërsa Cyme Lulaj drejtimin e Kombëtares U-17. Daniela Kodra do të jetë trajnere e Kombëtares U-15.
Ky projekt i ri përfshin një metodë unike pune, jo vetëm për lojtaret, por edhe për pjesëtarët e ndryshëm të stafit, të cilët do të përfshihen në trajnime të shpeshta dhe praktika informuese, me objektiva teknike, taktike, atletike dhe të kulturës së përgjithshme. Rritja e cilësisë dhe zbulimi i talenteve është objektivi kryesor dhe kjo synohet të arrihet me rritjen e orëve të trajnimit, aplikimin e seancave specifike të teknikës dhe taktikave individuale dhe me anë të monitorimit të vazhdueshëm të aktivitetit të kryer.
Drejtoria Teknike e FSHF-së ka themeluar edhe një departament të veçantë për të mbështetur dhe zhvilluar këtë projekt, ku do të japin kontributin e tyre pjesëtarët e stafit teknik të Kombëtares A për djem. Në përgatitjen atletike përgjegjës do të jenë Luca Laurenti dhe Iris Selimi, në sektorin e video-analizës, Alarico Rossi, në sektorin e mjekësisë sportive, Gianluca Stesina dhe në sektorin e portierëve, Erion Meta.
Në fokusin kryesor të FSHF-së do të jenë projektet që implementohen në vendin tonë mes FSHF-së, FIFA-s dhe UEFA-s, si “Programi i Futbollit në Shkolla”, “Playmakers” dhe programi TDS, ku synohet që të zhvillohet sa më shumë futbolli i vajzave. Gjithashtu FSHF do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha klubet e futbollit të vajzave për të arritur qëllimin e vendosur, ku falë projektit të ri teknik për ekipet përfaqësuese rajonale të vajzave të zbulohen talentet e reja. FSHF do të organizojë në “Shtëpinë e Futbollit” edhe turneun e ekipeve përfaqësuese rajonale për vajzat në muajt qershor dhe nëntor.
Gjatë mbledhjes u diskutua edhe mbi problematikat në futbollin e vajzave, ku Presidentët dhe përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore” për vajza dhanë mendimin e tyre për përmirësimin dhe zhvillimin e futbollit të vajzave.
Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, foli pas përfundimit të takimit ku theksoi se objektivi kryesor është rritja e nivelit dhe standartit në futbollin e vajzave në vendin tonë.
“FSHF, që pas miratimit të vitit të kaluar të strategjisë ‘Rising Stars 2023-2026’ është duke bërë të gjitha përpjekjet e saj për fuqizimin e futbollit të vajzave edhe në Shqipëri. Takimi i sotëm është fillimi i një pune në vazhdim, është një strategji që po diskutohet me të gjithë aktorët kryesor të futbollit të vajzave.
Ishte shumë domethënëse sot të dëgjonim jo vetëm ato çka u paraqitën nga Drejtoria Teknike e FSHF-së dhe mënyrën se si ne po organizohemi për ta çuar në një nivel tjetër dhe në një standart tjetër futbollin e vajzave në Shqipëri, por të merrnim edhe sugjerimet që na sollën të gjitha klubet që ishin prezentë sot në këtë takim. Besoj fort që me përpjekjet e të gjithëve, jo vetëm të FSHF-së por edhe të klubeve që tashmë po punojnë dhe konsolidojnë strukturën e futbollit të vajzave në Shqipëri të kemi një rezultat të afërt sa më të mirë”, – tha Anila Basha.
Presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija, tha se futbolli i vajzave është në rrugën e duhur për të arritur në nivelet që kërkon FSHF, FIFA dhe UEFA.
“Unë mendoj që është në kohën dhe momentin e duhur ky takim me Presidentët dhe drejtuesit kryesorë të futbollit të vajzave. Është fund sezoni dhe mendoj që u evidentuan disa nga problematikat që ka futbolli i vajzave dhe strategjia për zhvillimin për të ardhmen. Mendoj që sezonin tjetër disa nga këto problematika do të zgjidhen dhe futbolli i vajzave është në rrugën e duhur për të ecur në ato nivele që kërkon FSHF, FIFA dhe UEFA”, – tha Lazer Matija
Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, shprehu besimin e tij ndaj FSHF-së në punën për zhvillimin e futbollit të vajzave.
“Unë besoj në këto ide, vizione dhe projekte. Do të jem një partner i përkushtuar i Federatës për aq sa më takon mua në drejtimin e Apolonisë për të mbështetur zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri”, – tha Koço Kokëdhima.
Përfaqësuesja e klubit të Gramshit, Blerina Bajko, falënderoi FSHF-në për organizmin e këtij takimi ku u diskutuan problematikat që klubet hasin në përditshmëri.
“Që me projektin që u prezantua që në fillimin e sezonit për vajza, prioriteti i FSHF-së ishte fuqizimi i rolit të vajzave në futboll. Të gjitha pikat kyçe të ditës së sotme janë ato problematikat që klubet kanë për futbollin e vajzave. Duam të falënderojmë FSHF-në dhe këto lloj dëgjesash duhet të bëhen me pak më shumë frekuencë”, – tha Blerina Bajko.
Trajneri i Kombëtares A të vajzave, Armir Grima, u shpreh se gjatë mbledhjes u dhanë mendime me vlera për zhvillimin e futbollit të vajzave.
“Besoj që ishte një mbledhje që ja vlejti. Ishte diçka kryesore sepse çdo projekt që Federata ka duhet të harmonizohet me klubet. Presidentët e përfaqësuesit që ishin sot në mbledhje ishin faktorët kryesor për të diskutuar edhe problematikat që ka futbolli i vajzave. U dhanë mendime me vlera që duhet të vlerësohen dhe duhen të merren masa më të mira për ta zhvilluar sa më shumë futbollin e vajzave”, – tha Armir Grima. /FSHF