Sigal Prishtina është fituese e Ligës Ballkanike për këtë edicion. Në finalen e turneut “Final 4”, Prishtina ka mposhtur skuadrën nga Qipro, AEL-in. Ndeshja e luajtur të dielën mbrëma, ka përfunduar me fitoren e ngushtë të Prishtinës 72:67. Për Prishtinën, kjo është hera e tretë që e fiton Ligën Ballkanike, të cilën e ka fituar edhe në vitin 2014 e 2015. Edhe pse ishte në disavantazh pas dy çerekëve të parë, Prishtina u rikthye në lojë në dy periudhat e fundit për të triumfuar ndaj AEL-it, ekip të cilin e mposhti tri herë këtë edicion. Shaheed Davis (16), Donte Clark e Donovan Smith (15) e Diamond Stone (14) ishin më efikasit te Prishtina. Ndërkohë, te skuadra nga Qipro u dalluan Jerai Grant e Jordan Shepherd me nga 17 pikë të shënuara secili.