Wednesday, 18. March 2026
Sport

Prishtina prezanton trajnerin e ri, zgjedh Alban Dragushën për të dalë nga kriza

GS 18/03/2026 2 Min. Lesezeit

Prishtina, në një krizë të thellë rezultatesh, ka bërë së fundi ndryshime në stol. Alban Dragusha është emëruar trajneri i ri i skuadrës kryeqytetase në Kosovë, duke marrë vendin e Afrim Tovërlanit.

“Alban Dragusha është trajneri i ri i skuadrës sonë. Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të ligës së parë në këtë sezon.

Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka drejtuar edhe ekipin e Vushtrrisë, ndërsa nga viti 2019 deri më 2022 ka qenë pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner te Drita. Ai ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe si futbollist, duke luajtur në disa vende si Ukraina, Azerbajxhani, Suedia, Shqipëria dhe Kosova. Klubi i uron trajnerit Dragusha mirëseardhje dhe shumë suksese në drejtimin e skuadrës bardhekaltër”, – shkruan klubi Kosovar në njoftimin për trajnerin e ri.

Prishtina ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë në kampionat, me disa ndeshje pa fitore dhe tashmë jashtë zonës europiane. Kjo skuadër mban vendin e 4-t aktualisht dhe me Dragushën në stol synon ta përmbysë rezultatin.  

Teilen: