Monday, 9. March 2026
Sport

Prishtina rikthehet te fitorja, mposht Borën

GS 08/03/2026 2 Min. Lesezeit

KB Sigal Prishtina i ka dhënë fund serisë prej pesë humbjeve radhazi, pasi të dielën mbrëma triumfoi ndaj rivalit lokal KB Bora me rezultat 77:72. Ndeshja u zhvillua në palestrën Pallati i Rinisë dhe Sporteve – 1 Tetori dhe i takoi javës së 23-të të Superliga e Kosovës në basketboll.

Takimi ishte shumë i luftuar dhe fituesi u vendos vetëm në minutat e fundit. Të dy skuadrat kërkuan fitoren deri në fund, por Prishtina u tregua më e saktë në aksionet vendimtare dhe siguroi dy pikë të rëndësishme.

Më i dalluari te Prishtina ishte Deondre Burns me 27 pikë, gjashtë asistime dhe katër kërcime. Kontribut të madh në fitore dha edhe Altin Morina me 17 pikë, tri kërcime dhe dy asistime.

Ndërkohë Adrio Bailey shtoi 14 pikë dhe gjashtë kërcime, edhe pse pati disa topa të humbur.

Te Bora u dallua Shaquan Jules me 14 pikë dhe katër kërcime, ndërsa Jetmir Zeqiri realizoi vetëm tri pikë, por kontribuoi me 12 kërcime dhe tri asistime. Carlton Bragg shtoi tetë pikë dhe shtatë kërcime.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina ngjitet në vendin e gjashtë me 32 pikë, një më shumë se KB Vëllaznimi që zbret në pozitën e shtatë. Bora mbetet e treta me 35 pikë, ndërsa KB Peja dhe KB Golden Eagle Ylli renditen në vendet katër dhe pesë me nga 33 pikë.

Teilen: