FC Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Alban Dragusha si trajner të ri të skuadrës së parë, vetëm një ditë pas largimit të Afrim Tovërlani nga drejtimi i ekipit.
Klubi kryeqytetas ka reaguar menjëherë për të mbushur boshllëkun në pankinë, duke i besuar drejtimin Dragushës, i cili vjen pas një periudhe të suksesshme në Ligën e Parë me KF Ramiz Sadiku.
Në njoftimin zyrtar, Prishtina theksoi:
“Alban Dragusha është emëruar trajneri i ri i skuadrës sonë. Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të ligës së parë në këtë sezon”.
Klubi gjithashtu vuri në pah përvojën e tij në pankinë, duke shtuar:
“Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka drejtuar edhe ekipin e Vushtrrisë, ndërsa nga viti 2019 deri më 2022 ka qenë pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner te Drita”.
Përveç angazhimeve si trajner, Dragusha ka pasur një karrierë të pasur edhe si futbollist profesionist, duke luajtur në disa vende evropiane.
“Ai ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe si futbollist, duke luajtur në disa vende si Ukraina, Azerbajxhani, Suedia, Shqipëria dhe Kosova”.
Në fund, klubi bardhekaltër i ka uruar mirëseardhje trajnerit të ri dhe sukses në detyrën e tij:
“Klubi i uron trajnerit Dragusha mirëseardhje dhe shumë suksese në drejtimin e skuadrës bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Me këtë lëvizje, Prishtina synon të stabilizojë skuadrën dhe të rikthehet në garë për objektivat e sezonit, duke hyrë në një fazë të re nën drejtimin e Dragushës.