Kristof Galtie nuk është më trajneri i PSG-së. Tekniku i cili drejtoi parisienët në këtë edicion, ka gjetur akordin për të mbyllur para kohe kontratën, dhe ashtu siç ka ndodhur me të gjithë ata që kanë lënë në mes marrëveshjet e tyre me parisienët, do të paguhet me shifra aspak modeste për “shqetësimin”.
Galtie kishte firmosur për dy vite me PSG-në dhe objektivi i tij ishte të fitonte Ligën e Kampioneve. Por skuadra jo vetëm që doli shumë shpejt nga turneu, por edhe shfaqi vështirësi të mëdha në kampionat, ku fitoi titullin pa bujë dhe mes kontestimeve të tifozëve. Kjo bëri të pashmangshëm largimin e tij dhe tashmë drejtuesit e klubit duket se kanë gjithçka gati që nesër të prezantojnë edhe trajnerin e ri.
Sipas “L’Equipe”, përfaqësuesit e Galtie kanë siguruar akordin nga PSG për të mbyllur para kohe marrëveshjen. Raportohet se klubi do t’i paguajë Galtie dhe ndihmësit e tij, Tierri Oleksiak, një total prej 10 milionë eurosh, për të ndërprerë marrëveshjet e nënshkruara.
Ndërkohë, nesër është paralajmëruar një konferencë për shtyp, në të cilën pritet që të zyrtarizohet emërimi i Luis Enrike si trajneri i ri i parisienëve.
PANORAMASPORT.AL