Oskar Gluk dhe Brajan Kristante nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin përveç faktit që kanë gjetur te Jan Zomeri një mur të pakalueshëm.
Portieri ka qenë ndër faktorët kryesorë pse Interi ia doli të marrë fitoret ndaj Salcburgut të Glukut dhe Romës së Kristantes, duke dhuruar në tërësi paraqitje bindëse në këtë fillimsezoni, ku 34-vjeçari është gjithmonë e më shumë një siguri.
ZOMER GJITHMONË VENDIMTAR – Java e shkëlqyer e Interit pas pauzës (Torino, Salcburg dhe Roma të mposhtura) ka ndër sekretet e saj ndërhyrjet vendimtare të Zomerit. Të gjitha të ndalura 0-0, pritje që e drejtuan ndeshjen drejt fitores për zikaltrit. Kundër torinezëve nuk duheshin mrekulli, por ish-lojtari i Bajern Mynihut neutralizoi tentativat e Sekut dhe Pelegrit në fund të pjesës së parë, momenti më i mirë për skuadrën e Ivan Juriçit.
Gjithashtu falë Zomerit zikaltrit nuk shkuan në disavantazh në dhomat e zhveshjes. Ndërsa ndaj Salcburgut, Inter rrezikoi të niste në një situatë të tillë. Siç ndodhi ndaj Sociedadit, por në minutën e katërt Zomer ishte fantastik në diagonalen e Gluk. I riu izraelit do të shënonte më pas golin 1-1, por që në fund nuk ndikoi falë penalltisë së Çlahnoglusë.
NUMRAT E ZOMERIT – Edhe kundër Romës, te Kristante, zvicerani ishte vendimtar. Minuta e 66-të, mundësia e parë e verdhekuqve dhe rrezik real për Interin. Goditje e mesfushorit nga afër, ndërhyrje reaktive e portierit. Inzagi ishte gati të binte në grackën e Murinjos, por pasi mbajti rezultatin në baraspeshë, ia doli të godasë. Zomeri ngatërrestar i fillimit të gushtit, kur në debutimin e tij për Interin kundër Salcburgut në miqësore dhuroi një gol dhe pësoi një penallti, tani është një kujtim i largët.
Në 13 ndeshje, mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve, ai ka pësuar 7 gola, prej të cilëve vetëm një për faj të tij (i Nedim Bajramit për barazimin 1-1 të Sasuolos).
8 herë ka arritur ta mbajë portën të paprekur, sigurisht edhe falë një mbrojtjeje që funksionon, e cila lejon pak. Zomerit i kërkohet të mbyllë saraçineskën kur ajo pak e mbrojtjes shkon drejt tij. Deri më tani po e bën, javët e fundit janë provë për këtë dhe tashmë Onana është harruar.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL