Pyetja është duke u përsëritur prej javës në mendjen e interistëve dhe jo vetëm: A mundet Interi t’i fitojë të gjitha kompeticionet në të cilat është në garë?Disa e përjashtojnë në mënyrë kategorike, të tjerë besojnë verbërisht, por ka edhe nga ata që nuk zhbalancohen. Në të vërtetë, nuk ka një termometër fiks që e mat këtë gjë. Sot vlen gjithçka që thuhet dhe e kundërta e saj. Por skuadra e Simone Inzagit është aty, në garë të plotë në të gjitha frontet. Është e para në Serinë A +3 pikë nga Napoli, brenda gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Milanit me një rezultat të hapur dhe në çerekfinalet e Champions-it ndaj Bajernit të pllakosur nga dëmtimet. Ndoshta mund të themi që është edhe në anën e duhur të tabelës, sepse Reali dhe PSGja janë në anën e kundërt dhe mund të takohen vetëm në finalen e mundshme. Në rast se Interi do të kalojë Bajernin, duhet të përballen me njërin prej fituesit të çiftit BarcelonaDortmund.
PSE PO?- Interi është në besim të plotë dhe në garë kudo. Edhe Skaramancia luan një rol të rëndësishëm në grupin zikaltër. Çdo herë që zikaltrit pyeten nëse mund të bëjnë tripletën, përgjigjja është e njëjtë: Objektivi është që të bëjmë gjithmonë më të mirën, duhet të provojmë dhe të bëjmë diçka të rëndësishme. Ne besojmë, e dimë që është e vështirë, por do të luftojmë”. Duket si një kasetë që përsëritet shpesh, por nuk është e vërtetë. Lojtarët arsyetojnë gjithmonë me metodën: Ne, pastaj unë. Një sinjal i qartë që grupi është i bashkuar dhe mund të arrijë diçka të rëndësishme. Në anën e tij, Inzagi limitohet në përgjigjet: Objektivi është të luajmë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe që ambicia është prezente. Në nivelin teknik, mundësitë nuk mungojnë. Sepse në kampionat në këto 2 javë Interi ka mundësinë e artë që të nisë arratinë ndaj Napolit (sot për sot është 3 pikë). Zikaltrit do të luajnë kundër Parmës dhe Kaljarit, me të kaltrit që do të impenjohen në sfida të komplikuara si Bolonja dhe Empoli. Për këtë arsye në mesin e muajit prill, avantazhi zikaltër mundet që t’i lejojë Inzagit një menaxhim të forcave më të qetë në mbarëvajtjen e kompeticioneve. Barazimi 1-1 në derbin e parë kundër Milanit lë gjithçka të hapur për atë të kthimit. Zikaltrit, edhe pse në emergjencë totale, ia dolën që të mos mundeshin dhe tani me rikthimet shpresojnë që e kanë vetë në dorë kualifikimin. Me shumë mundësi finalja do të luhet me Bolonjën, një rival i vështirë, por teknikisht inferior në krahasim me Interin. Pastaj është edhe Championsi, që duhet interpretuar hap pas hapi. I radhës është Bajerni. Skuadra e udhëhequr nga Kompani është një rival i hidhur, por me shumë dëmtime mund ta ketë të vështirë të përballet me zikaltrit. Pastaj ku i dihet çfarë do të ndodhë.
PSE JO?- Ana tjetër e medaljes është më pak optimiste sesa realiste. Duke nisur pikërisht nga Champions-i. Është e vërtetë që Bajerni ka një “thes” me mungesa në javët e fundit, por edhe Interi nuk ka më pak. Probleme që mund të ndikojnë edhe në aspektin fizik të skuadrës, sepse në momentin vendimtar të sezonit dhe me një kalendar të ngjeshur duhet që një pjesë e lojtarëve të sforcohen. Kjo është frika e Inzagit. Pastaj është edhe tema relative që lidhet me fushën. Përtej mungesave, Bajerni është një ekip i jashtëzakonshëm. Mjafton që të shohësh paketën sulmuese me Musialën, Olisen, Gnabrin, Sane, Mylerin dhe Kejnin. Ata do të jenë të gjithë dhe për t’i ndalur nuk është e lehtë. Edhe në rast kalimi të turnit, mundet që të dalë përpara Barcelona, e cila është e frikshme. Në Kupën e Italisë gjithçka është e hapur, por Milani ka treguar se është një mace e zezë. Zero fitore në katër ndeshje dhe një humbje në finalen e Superkupës. Frika është që një prej objektiveve sezonalë, është në dorë të Milanit dhe mund të komplikojë shanset e zikaltërve.
Por edhe Bolonja në finale mund të jetë një minë me sahat. Pastaj është edhe kampionati, ku gjithçka është e hapur dhe kështu mund të mbetet deri në fund. Tri pikë avantazh janë pak dhe Napoli është i fokusuar 100% në garën për titull. Ka më pak ndeshje dhe kalendari mund t’i buzëqeshë skuadrës së Kontes. Sepse impenjimet për ekipin zikaltër janë të shumta. Interi për momentin ka 3 ndeshje më shumë për të luajtur dhe nga tani deri në fund do të përballet me skuadra pak më të forta. Gjithçka mund të ndodhë. Dhe, në fakt, pyetjes nëse Interi mund të fitojë apo jo tripletën, nuk mund t’i përgjigjemi.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL