Profesor Çalhanoglu u ngjit në katedër dhe shkoi drejt dërrasës së zezë me shkumësin në dorë për të dhënë leksione. I pari: Si të nxjerrësh nga hiçi një supergol dhe të marrësh përdore skuadrën në momentet e vështira. Brilante.
NË KATEDËR- Me golin e fundit, predhë në gjysmëlartësi dhe me saktësi, mbajti të hapur kualifikimin për në finalen e Kupës së Italisë. Tregoi edhe një herë tjetër se Hakani i vërtetë di t’ju tregojë studentëve të tij se si mund të futesh në ndeshjet e luajtura keq nga skuadra. Ose si mundet të ndëshkosh rivalin kur sfida përgjumet dhe nuk ka rrugëdalje.
Këtë të fundit e ka bërë në disa raste, me golin ndaj Napolit në fazën e parë, po ashtu në Champions me Fejnordin dhe Lajpcigun, pastaj me Leçen, Kaljarin dhe dy herë me Lacion në Kupën e Italisë dhe në Serinë A. Pa harruar Monzën në përmbysje. Çalhanoglu duket se i ka lënë pas krahëve muajt e vështirë dhe të turbullt dhe e ka bërë me personalitetin që e karakterizon. Është një lojtar që ka bërë tatuazh në krahun e tij numrin 10, por që me kalimin e sezoneve ka zbritur poshtë në fushën e lojës.
Pa humbur shkëlqimin, krijimin dhe menaxhomin. Si për të thënë që unë detyrat e mia dhe më shumë i bëj, pastaj për të tjerat mendoni ju. Inzagi e “përqafoi” në shkurt pas një muaji të vështirë për shkak të dëmtimit në pulpë. Pas disa ndeshjeve në hije, mes tyre edhe derbin e kthimit. Hakan është rikthyer lideri i Interit në mesfushë, lojtari që ndërton sukseset, ashtu siç bëri në këtë ndeshje.
NUMRAT- Kundër Milanit ka kryer 78 pasime gjatë ndeshjes, më shumë nga të gjithë dhe ka prekur 104 topa në total. Ka bërë 6 pasime të gjata, 3 topa të rikuperuar si shkatërrues për të nisur aksionet e Interit në një fazë të rëndësishme të ndeshjes. Për këtë arsye u shpall lojtari i ndeshjes. “Nuk mund të pësojmë gola të tillë. Por e rëndësishme është që të mos e humbnim këtë ndeshje.
Tani duhet të përqendrohemi te Parma, pastaj të mendojmë për ndeshjen e kthimit”, tha ai pas sfidës. Është në program më 23 prill. Çalha do të jetë gjithmonë pas katedrës për leksionin e radhës. Si gjithmonë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL