Vijon protesta para Ministrisë së Arsimit, e cila është shoqëruar me tensione, pasi një grup protestuesish të maskuar kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari dhe kanë hedhur molotovë, gurë dhe lëndë plasëse në drejtim të godinës së institucionit. Në katin e parë dhe të dytë të godinës janë hedhur edhe mjete piroteknike duke i vënë flakën ambienteve.
Përballë situatës së krijuar, Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me autobotë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Marshimi nisi para orës 14:00, pasi studentë të Fakultetit të Ekonomisë, Universitetit Politeknik dhe Fakultetit të Mjekësisë bojkotuan mësimin për t’iu bashkuar protestës, por edhe disa shkolla në kryeqytet.
Policia ka hedhur vazhdimisht ujë për të shpërndarë turmën dhe për të mos i lejuar të dëmtojnë objektet. Nga ana tjetër protestuesit iu kanë vënë flakën kazanëve dhe kanë shkulur pllakat e trotuareve duke i hedhur drejt institucioneve dhe policisë.
Situata e sotme vjen një ditë pas protestës së zhvilluar më 13 tetor, e cila u shoqërua me akte dhune, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime materiale dhe persona të lënduar.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit shkulën kangjellat e trotuarit dhe dëmtuan një prej portave të oborrit, duke mundësuar hyrjen e një grupi brenda hapësirës së brendshme të godinës.
Më tej, persona të maskuar hodhën kapsolla, gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari në drejtim të godinës dhe efektivëve të policisë, duke thyer disa nga xhamat e fasadës.
Për të zmbrapsur sulmin dhe për të rivendosur rendin, Policia e Shtetit ndërhyri përmes përdorimit të sprajit me piper, gazit lotsjellës dhe ujit me autobotë që ndodheshin në gatishmëri.
16 persona u arrestuan, ndërsa 49 të tjerë janë proceduar. Gjashtë persona mbetën të lënduar dhe po marrin mjekimin e duhur në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tre prej tyre janë kalimtarë, ndërsa tre të tjerët janë protestues. Po ashtu, të lënduar kanë mbetur edhe 6 efektivë.
/rtsh.al/