Një 19-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pas veprimeve të kundërligjshme të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. I riu dyshohet se ka dëmtuar me sende të forta xhamat e dritareve të godinës së Gjykatës Kushtetuese. Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet O. C., 19 vjeç, banues në Dibër.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohen për përfshirje në veprime të kundërligjshme gjatë të njëjtit tubim. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj personave të përfshirë rëndojnë dyshime për disa vepra penale, mes tyre shkatërrimi i pronës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike dhe pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjithashtu, hetimet lidhen edhe me dyshimet për kundërshtim të punonjësve të Policisë së rendit publik dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje:
-u arrestua në flagrancë shtetasi O. C., 19 vjeç, banues në Dibër, pasi dyshohet se ka thyer me sende te forta, xhamat e dritareve të godinës së Gjykatës Kushtetuese;
-u proceduan në gjendje të lirë 5 shtetas, autorë të dyshuar të veprimeve të kundërligjshme gjatë këtij tubimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “ Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.
/rtsh.al/