Pas protestës se ditës se djeshme (13 tetor), studentë në disa fakultete dhe nxënës në disa gjimnaze kanë bojkotuar mësimin ditën e sotme, për t’iu bashkuar protestës së thirrur për në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Protesta sot vjen pas asaj të një dite më parë, që u shoqërua me akte dhune dhe përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve, duke sjellë dëmtime materiale, të lënduar dhe dhjetëra të shoqëruar.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit shkulën kangjellat e trotuarit dhe dëmtuan një prej portave të oborrit, duke mundësuar hyrjen e një grupi brenda hapësirës së brendshme të godinës.
Më tej, persona të maskuar hodhën kapsolla, gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari në drejtim të godinës dhe efektivëve të policisë, duke thyer disa nga xhamat e fasadës.
Për të zmbrapsur sulmin dhe për të rivendosur rendin, Policia e Shtetit ndërhyri përmes përdorimit të sprajit me piper, gazit lotsjellës dhe ujit me autobotë që ndodheshin në gatishmëri.
16 persona u arrestuan, ndërsa 49 të tjerë janë proceduar. Gjashtë persona mbetën të lënduar dhe po marrin mjekimin e duhur në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tre prej tyre janë kalimtarë, ndërsa tre të tjerët janë protestues. Po ashtu, të lënduar kanë mbetur edhe 6 efektivë.
/rtsh.al/