Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për largimin e trajnerit të Kombëtares, Sylvinho, duke theksuar se bëhet fjalë për mbylljen e një cikli dhe nisjen e një etape të re për ekipin kuq e zi.
Në një konferencë për media, Duka u shpreh mirënjohës për kontributin e trajnerit brazilian dhe stafit të tij gjatë periudhës në krye të Shqipërisë
“Ne mbyllim një cikël me tashmë nga ky moment mund të themi ish-trajnerin e ekipit kombëtar zotin Sylvinho dhe stafin e tij të cilin sot unë dua ta falënderoj në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, në emrin tim dhe në emër të gjithë tifozëve për kontributin që ka dhënë Sylvinho, Dori dhe Zabaleta gjatë kësaj periudhe për kombëtaren shqiptare për rezultatet e arritura bashkë kemi kaluar një periudhë vërtet të rëndësishme me shumë emocione, kemi qeshë kemi qarë kemi gëzuar bashkë dhe unë për këtë padyshim që është pjesë e historisë edhe personale edhe e gjithë futbollit shqiptar. Sylvinho dhe stafi i tij por në futboll mund të konsiderohet normale që mbyllet një cikël dhe fillon një cikël i ri. Në një mirëkuptim të plotë dhe një respekt reciprok me Sylvinhon me Dorin dhe me Zabaletën kemi menduar dhe kemi rënë në konsensus që ky cikël do të mbyllet për të hapur një cikël të ri” – tha Duka.
Sipas Dukës, vendimi për ndarjen është marrë në mënyrë të përbashkët dhe me mirëkuptim të plotë mes palëve, duke e konsideruar si një hap të natyrshëm në futboll.
Largimi i Sylvinhos shënon kështu fundin e një periudhe të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, ndërsa pritet që shumë shpejt të nisë një kapitull i ri me një trajner të ri në pankinë.
Pas largimit të Sylvinho, Federata Shqiptare e Futbollit ka emëruar italianin Rolando Maran në stolin kuq e zi.