Wednesday, 12. August 2026
Futboll

PSG-Aston Villa, Superkupa e UEFA-s vendoset direkt nga penalltitë në rast barazimi

GS 12/08/2026 2 Min. Lesezeit

“Red Bull Arena” në Salzburg do të jetë sonte skena e duelit mes Paris Saint-Germainit dhe Aston Villës, në një përballje që hap zyrtarisht sezonin e ri evropian.

Kampionia e Evropës, PSG-ja, vjen në këtë sfidë me synimin për të shtuar një tjetër trofe në vitrinën e saj, pasi triumfoi në Ligën e Kampionëve për herë të dytë radhazi. Francezët mposhtën Arsenalin në finale pas ekzekutimit të penalltive.

Përballë tyre do të jetë Aston Villa, e cila siguroi biletën për Superkupë pas triumfit në Europa League. Anglezët dominuan finalen ndaj Freiburgut, duke fituar me rezultat 3-0.

Megjithatë, një dilemë interesante që mund të lindë gjatë ndeshjes lidhet me atë se çfarë ndodh nëse rezultati mbetet i barabartë pas 90 minutave.

UEFA ka përcaktuar se në Superkupën e Evropës nuk do të ketë vazhdime.

Nëse PSG-ja dhe Aston Villa nuk arrijnë ta ndajnë fituesin brenda kohës së rregullt, skuadra triumfuese do të përcaktohet menjëherë përmes goditjeve nga pika e bardhë.

Pra, ndryshe nga ndeshjet e fazave eliminatore të Ligës së Kampionëve apo Europa League-s, ku barazimi pas 90 minutave pasohet nga 30 minuta shtesë, në Superkupë gjithçka mund të vendoset direkt nga penalltitë.

Ky rregull ishte në fuqi edhe në edicionin e kaluar, kur PSG-ja triumfoi ndaj Tottenhamit pikërisht pas penalltive. Skuadra franceze kishte qenë në disavantazh 2-0, por arriti të rikthehej në fund të ndeshjes dhe ta barazonte rezultatin, përpara se të siguronte trofeun nga pika e bardhë.

Edhe këtë vit rregullorja mbetet e pandryshuar. Kështu, nëse 90 minutat nuk prodhojnë fitues, trofeu i Superkupës së UEFA-s do të vendoset direkt përmes penalltive.

Teilen: