Fund i hidhur për Olimpique Marseille në finalen kundër “makinerisë” së frikshme të Luis Enrique. Parisienët ngrejnë lart trofeun për herë të 14-të.
Një tjetër finale e fituar, PSG rrëmben edhe Superkupën e Francës. Kampionët në fuqi të Ligue 1 kanë mundur me penallti (2-2 koha e rregullt) OM në sfidën e luajtur në Kuvajt, ku nuk munguan emocionet. Greenwood (76’) me penallti iu përgjigj golit të Dembélé (13’), ndërsa Gonçalo Ramos barazoi në minutën e 95-të autogolin e Pacho (87’).
Gjithçka u vendos nga 11 metrat, ku vendimtar ishte portieri Chevalier, i cili neutralizoi gjuajtjet e O’Riley dhe Traore. PSG dhe OM u përballën në “Jaber Al-Ahmad International Stadium”, ku parisienët u prezantuan si kampionë të Francës, ndërsa marsejezët si vendi i dytë i kampionatit të fundit.

Dembélé zhbllokoi ndeshjen pas 13 minutash. “Topi i Artë 2025” kaloi Rulli me një parabël, pas asistit të Vitinha, që përfitoi nga gabimi i kundërshtarëve. Chevalier bëri disa pritje të rëndësishme. Në minutën e 74-t arbitri akordoi penallti për OM dhe Greenwood barazoi 1-1.
Skuadra e De Zerbi fitoi besim dhe në minutën e 87-të gjeti avantazhin me autogolin e Pacho, pas krosit të Hamed Junior Traore. U duk se PSG e humbi trofeun, por Ramos barazoi shifrat në minutën e 5-të shtesë. Nga pika e bardhë për PSG-në shënuan Ramos, Vitinha, Nuno Mendes dhe Doué, kurse Chevalier priti penalltitë e O’Riley dhe Traore. Bëhen 12 kështu sukseset e parisienëve në 13 edicionet e fundit. Dominim absolut.


