Duke folur në një konferencë për shtyp, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, komentoi shortin që do t’i shohë parizienët të përballen përsëri me Barcelonën, klubin me të cilin ai fitoi kupën në vitin 2015.
“Është një ndjenjë e përzier. Jam i lumtur që po kthehem në shtëpi, Barça është klubi që më ka ndihmuar më shumë në karrierën time. Por përballja me ta do të jetë gjithmonë e veçantë dhe e vështirë. Ata janë një ekip që përpiqet të luajë futboll sulmues dhe spektakolar, dhe do të jetë një ndeshje shumë e këndshme”.
Trajneri më pas foli për lojtarët e tij: “Warren Zaïre-Emery është një lojtar i jashtëzakonshëm, me një qëndrim shembullor. Ai gjithmonë do të ketë një rol të rëndësishëm me ne. Donnarumma? Nuk e di çfarë do të ndodhë, varet nga tregu i transferimeve. Le të shpresojmë se ai mund të gjejë një zgjidhje”.
Luis Enrique konfirmoi gjithashtu se kishte refuzuar disa transferime për t’u bërë vend lojtarëve të rinj: “Nuk mund të mendosh të nënshkruash me pesë ose gjashtë lojtarë çdo vit. Unë besoj te lojtarët e rinj, si Mbaye, i cili po rritet shumë. Duhet kohë, por ai ka potencial të madh”.
Lidhur me ndeshjet e Ligue 1, spanjolli shpjegoi: “Është normale që shumë ekipe të luajnë nw mbrojtje kundër nesh, e bënin këtë edhe para titullit evropian. E pamë këtë strategji kundër Angers dhe Nantes. Tani përballemi me Toulouse, një ndeshje e vështirë jashtë fushe. Ata janë të motivuar pas dy fitoreve dhe trajneri i tyre, Carlos Martinez, po luan futboll të shkëlqyer. Ne do të jemi gati”.