Paris Saint-Germaini po marshon drejt trofeut të parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit.
Në finalen e Championsit, që po zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena” në Munchen, PSG-ja po avancon ndaj Interit pas pjesës së parë.
Rezultati është 2:0 në favor të Parisit, ekip që pati paraqitje shumë më të mirë se Interi gjatë pjesës së parë.
Në fakt, Parisi e konfirmoi dominimin ndaj Interit me dy gola të shpejtë, të cilët i realizoi me anë të Achraf Hakimit dhe Desire Doue.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 12-të me anë të marokenit Hakimi, i cili edhe pse shënoi gol nuk festoi për shkak se në të shkuarën ka qenë pjesë e Interit.
Tetë minuta pas golit të parë, Parisi e dyfishoi epërsinë kur Doue shënoi dhe kështu detyroi portierin e Interit, Yann Sommer ta nxjerrë topin për herën e dytë nga porta e tij.
Pas dy golave të pranuar, Interi u vërsul drejt portës së Parisit por nuk arriti ta rrezikoj portierin Gianluigi Donnarumma për shkak se mbrojtja e Parisit ishte tejet e vëmendshme.
Për Interin, Liga e Kampionëve është mundësia e vetme për ta mbyllur sezonin aktual me trofe pasi nuk arriti të triumfoj në Serie A por as në Superkupën dhe Kupën e Italisë.
Në anën tjetër, Parisi po synon që sezonin 2024/25 ta mbyllë me “tripletë” pasi tashmë ka fituar titullin e kampionit në Ligue 1 dhe triumfoi në Kupën e Francës.
Janë edhe 45 minuta tjerë për të parë se cila prej këtyre dy skuadrave do ta fitoj trofeun të garës më elitare të UEFA-s, ndonëse PSG-ja është më afër se Interi për shkak të epërsisë prej dy golave.