E ardhmja e sulmuesit spanjoll Ferran Torres te Barcelona mbetet e paqartë, pavarësisht rolit të rëndësishëm që pati në skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick gjatë sezonit të kaluar.
Torres ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me klubin katalanas dhe deri më tani nuk ka marrë një ofertë për rinovim. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Barcelona pritet të presë përfundimin e afatit kalimtar për t’i ofruar kontratë të re, pasi një rinovim në këtë fazë mund ta vështirësojë regjistrimin e lojtarëve të rinj për shkak të kufizimeve financiare.
Ndërkohë, interesimi për reprezentuesin spanjoll po rritet edhe jashtë Spanjës. Paris Saint-Germain raportohet se ka vendosur kontakt me përfaqësuesit e lojtarit dhe e konsideron Torresin si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i cili ka bashkëpunuar më parë me Torresin te Kombëtarja e Spanjës, dëshiron ta ketë sulmuesin në skuadër. Klubi francez i ka ofruar atij rolin e zëvendësuesit kryesor në sulm, pozitë që sezonin e kaluar i takonte Gonçalo Ramosit, i cili së fundmi është transferuar te Milani.
Bazuar në mënyrën se si Luis Enrique e ka menaxhuar Ramosin, Torres pritet të ketë më shumë minuta në ndeshjet e kampionatit dhe kupave vendore, ndërsa në përballjet më të mëdha do të aktivizohej kryesisht nga stoli.
Ramos sezonin e kaluar zhvilloi 30 ndeshje në Ligue 1, 13 prej tyre si titullar, duke grumbulluar 1309 minuta dhe realizuar gjashtë gola. Në Ligën e Kampionëve ai luajti në 11 ndeshje, shënoi dy gola dhe nuk ishte titullar në asnjërën prej tyre.
Nga ana tjetër, Ferran Torres pati një sezon më produktiv në aspektin ofensiv, duke shënuar 16 gola në 33 paraqitje në La Liga, statistikë që e bën një nga sulmuesit më efikas të Barcelonës.
Megjithatë, trajneri Hansi Flick vazhdon ta konsiderojë spanjollin një pjesë të rëndësishme të projektit të tij. Mbetet të shihet nëse oferta e PSG-së do të jetë e mjaftueshme për ta bindur Torresin të largohet nga “Camp Nou” gjatë kësaj vere.