Thursday, 1. October 2026
Sport

Publikimi i materialeve me përmbajtje intime në rrjet, Policia e Tiranës nis hetimet kryesisht për katër vepra penale

GS 01/10/2026 2 Min. Lesezeit

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar nisjen kryesisht të hetimeve pas verifikimit të publikimit dhe shpërndarjes së materialeve filmike me përmbajtje intime në disa portale dhe platforma të ndryshme online.

Strukturat e specializuara po punojnë në terrenin digjital për të gjurmuar origjinën e shpërndarjes dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të këtyre materialeve.

“Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Referimi në prokurori dhe veprat penale

Për të siguruar dokumentimin e plotë ligjor, materialet procedurale i janë përcjellë zyrtarisht organit të akuzës për procedim të mëtejshëm.

“Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrja e padrejtë në jetën private’ dhe ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’.”, sqarohet në njoftimin për shtyp, lidhur me bazën ligjore dhe kualifikimin e veprave të konsumuara penale.

/rtsh.al/

 

Teilen: