Granit Xhaka po kalon një sezon fantastik me Bayer Leverkusenin. Javën e kaluar Leverkuseni festoi titullin e parë kampion në histori të klubit. Skuadra është gjithashtu në rrugë të mirë për ta fituar Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Evropës. Xhaka nuk ka asnjë humbje me Leverkusenin këtë edicion.
Por, siç dihet, kapiteni i Zvicrës nuk paraqitet vetëm në fushën e Leverusenit. Si pjesë e shkollimit të tij për trajner, Xhaka është rregullisht në fushë për skuadrën e Kategorisë së Pestë të Gjermanisë, SC Union Nettetal.
Xhaka prej verës punën në këtë ekip e bën si ndihmëstrajner.
Xhaka, 31-vjeçar, u propozua nga kunati i tij Leonard Lekaj, i cili është aktiv si lojtar në Nettetal. Motra e 33-vjeçarit dhe Granit Xhaka janë njohur gjatë kohës sa ai luante në Borussia Moenchengladbach.
“Ai mund të punonte edhe në akademinë e të rinjve të Bayerit. Por ai donte shumë të ishte pjesë e një ekipi me lojtarë të rritur”, tha Lekaj në një intervistë për “fussball.de”.
Me gjithë orarin e ngjeshur me Leverkusenin, Xhaka është pjesë e pandarë e ekipit të trajnerëve tek ekipi i vogël gjerman.
“Ai vjen në objektin tonë në Nettetal një herë në javë”, vazhdon Lekaj.
Si pjesë e shkollimit, kandidatët duhet të angazhohen në ndonjë ekip.
“Ai koordinohet ngushtë me trajnerin Andi Schwan”, shpjegon kunati i Xhakës.
Lekaj shprehet i bindur se puna e lojtarit që për Zvicrën ka luajtur 123 ndeshje tashmë po jep fryte.
“Ne shfaqemi edhe më të sigurt në fushë, jemi më të qetë me top dhe dimë se çfarë bëjmë pothuajse në çdo situatë. Loja jonë është përmirësuar, veçanërisht në qendër të mesfushës. Kjo është sigurisht meritë e Granitit”, ka thënë Leonard Lekaj.
Por puna si trajner dhe roli që ka Xhaka në fushë si lojtar dallon shumë.
“Ai gjithashtu mëson nga ne ose me ne, sepse është ende shumë i ri në zejen e trajnerit dhe përshtatet pa problem”.
Lekaj është pyetur nëse Xhaka mund të ketë karrierë të shkëlqyer si trajner.
“Ai nuk është dikush që ngrihet dhe thotë se: ‘dëgjo, unë jam Granit Xhaka, kam parë gjithçka në futboll’”.
Kur Leonard Lekaj nuk është në fushë për Nettetalin, ai përpiqet të shikojë burrin e motrës së tij duke luajtur në Bundesligë.
“Unë jam në stadium sa më shpesh që të jetë e mundur. Mundohem të shkoj në çdo ndeshje të Bayernit në shtëpi nëse është e mundur. Dhe sigurisht që isha edhe në festë të dielën e kaluar”, ka theksuar ai.
Ndeshja e radhës në të cilën 33-vjeçari do të dëshironte të mos mungonte është ajo e Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”.
Zvicra e udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka takohet në ndeshjen e fundit të grupit me Gjermaninë. Lekaj thotë se do ta mbështesë Zvicrën.
“Jam në dilemë, por pak më shumë për Zvicrën”.
Në pranverën e vitit 2022, Xhaka nisi kursin për Licencën B të UEFA-s me Federatën e Futbollit të Anglisë, gjatë kohës sa ishte në Arsenal. Ai përfundoi kursin në prill të vitit 2023 dhe filloi në korrik për t’u pajisur me Licencën A të UEFA-s, kualifikimi i dytë më i lartë i trajnerit.
Xhaka është duke shkuar hapave të trajnerit të tij, Xabi Alonso.