Media prestigjioze spanjolle “AS” ka raportuar se brenda ambienteve të stadiumit mitik të Barcelonës, “Camp Nou”, ka ndodhur një përplasje masive mes shqiptarëve dhe rumunëve, të cilët janë punëtorë të kompanisë nënkontraktore që po kryen punimet e rikonstruksionit të këtij stadiumi. Nga përleshja raportohet se janë lënduar gjashtë persona.
Është dashur ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit të ashtuquajtura “Mossos d’Esquadra” për të shuar sherrin mes shqiptarëve dhe rumunëve dhe shmangur një dëm më të madh.
Pas identifikimit të shkaktarëve të rrëmujës, përgjegjësi i punimeve ka vendosur t’i dëbojë nga stadiumi. Bëhet fjalë për punonjës të një kompanie nënkontraktore që flenë në hotele në Calella.
Tani për tani, “Mossos d’Esquadra” po kryen procedurat e nevojshme për të zbuluar nëse lejet e tyre të qëndrimit janë të ligjshme dhe ata mund të punojnë në Spanjë.
Siguria e “Spotify Camp Nou” është në duart e një kompanie private të punësuar nga Limak, një kompani turke shumëkombëshe e ndërtimit që është përgjegjëse për kryerjen e punimeve. Nuk është incidenti i parë i këtij lloji që ka ndodhur në ambientet e “Camp Nou”, pasi edhe në orën 11:00 të mëngjesit të datës 23 maj ka pasur një përleshje ku ishin përfshirë disa punëtorë. Klubi ka dërguar ankesë për këtë lloj situate, e cila fatkeqësisht po ndodh më shumë se zakonisht.