Misioni i parë është përmbushur me sukses. Ai ishte “nuk duhet të kemi pengje në këtë fund kampionati”, i shfaqur në mënyrë të përkryer të dielën në Torino: një Inter praktikisht perfekt në menaxhimin e ndeshjes.Tani jemi në fazën e dytë. Jo vetëm pa pendesa. Këtu jemi te “duhet të besojmë”, që është një nuancë tjetër, një hap më tej. Mes skuadrës dhe drejtuesve, dje qarkullonte më pak kjo batutë. “Do të thotë që do na duhet ta fitojmë”. Shakatë mënjanë, janë gjashtë fjalë që përçojnë qartë se si ka ndryshuar fryma e skuadrës për titullin që nga e diela në mbrëmje. Dhe i pari që e di këtë është Simone Inzagi, i cili gjatë karrierës si lojtar i ka përjetuar vetë, drejtpërdrejt apo jo, kampionate të vendosura në ditën e fundit, siç ishte shiu përmbytës i Peruxhas në vitin 2000, apo 5 maji i vitit 2002.
RELAKS- Ajo që nuk ndryshon, ndërkohë, është mënyra e përgatitjes për ndeshjen e së dielës ndaj Lazios. Sepse Inzagi nuk ka dashur, me të drejtë, të devijojë nga plani për t’u dhënë 48 orë pushim të plotë lojtarëve të tij. Dhe kështu Bastoni, Barela dhe Korrea kanë shkuar në Romë për të bërë tifo për Sinerin, Çalhanoglu ka fluturuar në Marbeja, Lautaro në Ibiza, dhe kështu me radhë. Të gjithë do të rikthehen nesër pasdite, me mendjen më të çlodhur dhe me një avantazh psikologjik për t’u menaxhuar ndaj Napolit: tani i gjithë presioni është mbi Konten, ndërsa Inzagi ka dalë nga ai tunel stresues që prodhoi tri humbjet radhazi ndaj Bolonjës, Milanit dhe Romës, kur ende tripleta ishte objektiv, gati si një mision i imponuar. Tani jo. Tani e gjithë bota “Inter” është e përqendruar te Monako e Bavarisë dhe çfarëdo që vjen nga kampionati, është një plus.
ZGJEDHJET– Por, është e drejtë të besohet. Dhe është e qartë se të dielën, kundër Lacios, Interi do të zbresë në fushë me një tension të ndryshëm, pa dyshim më të lartë. Edhe “San Siro” do të bëjë pjesën e vet. Që nga nesër nis planifikimi, sidomos në lidhje me formacionin. Para së gjithash, katër të dëmtuarit. Inzagi ishte ndoshta tepër pesimist në Torino: vetëm Lautaro do ta humbasë me siguri sfidën ndaj Lacios, ndërsa tre të tjerët, Pavar, Fratezi dhe Mkitarjan, kanë të gjithë shanse të mira për t’u rikuperuar, të paktën për të qenë në stol. Ka gjasa që nga minuta e parë, krahasuar me Interin e fundjavës së kaluar, të rikthehen disa titullarë.
Turam, mbi të gjithë: francezi mund të formojë dyshen me Taremin e rikuperuar ose me Arnautoviçin. Mesfusha pritet të jetë afër versionit më të mirë, me Inzagin që mund të hedhë në fushë nga fillimi Barelën, Çalhanoglun, si dhe anësorët Dumfris dhe Dimarko. Në mbrojtje pritet rikthimi i heronjve antiBarcelona, Açerbi dhe Zomer. Me një siguri, sido që të jetë formacioni: stuhia tek Interi është tashmë pas krahëve. Dhe ky është një lajm i mirë, qoftë për garën për titullin, qoftë për Ligën e Kampioneve.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL