Puthja në buzë, që presidenti i Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales i dha futbollistes Xhenifer Hermoso gjatë ceremonisë së triumfit në Kupën e Botës, ka shkaktuar polemika të forta në shtetin iberik. Së fundmi, për këtë skandal ka reaguar edhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez. Në një dalje publike për mediat, Sançez ka dënuar sjelljen e kreut të federatës.

“Lojtaret kanë bërë gjithçka për të fituar, por ka pasur disa sjellje si ajo e zotit Rubiales që tregojnë se në vendin tonë kemi një rrugë e gjatë për sa i përket barazisë dhe respektit midis grave dhe burrave”, u shpreh kryeministri spanjoll, i cili më tej shtoi: “Ajo që pamë ishte një gjest i papranueshëm, por edhe faljet e zotit Rubiales nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë as edukative. Ai duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të sqaruar atë skenë që kemi parë të gjithë në media”, tha Sançez.
SHKARKIMI I LUIS RUBIALESIT? Pedro Sançez sqaroi se qeveria nuk ka fuqinë për të zgjedhur dhe hequr Luis Rubialesin nga posti i presidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll: “Ndoshta publiku nuk e di, por Federata Spanjolle e Futbollit nuk i përket strukturës dhe as organikës së qeverisë së Spanjës. Presidenti në detyrë zgjidhet dhe shkarkohet nga bashkëpunëtorët e tij. Por, siç e kam thënë, falja që ai ka kërkuar është e pamjaftueshme. Rubiales duhet të ndërmarrë më shumë hapa për të sqaruar një sjellje që është qartazi e papranueshme. Që nuk përfaqëson shumicën e spanjollëve, të cilët janë të përkushtuar qartë për barazinë e burrave dhe grave. Deklarata e tij për të kërkuar falje është e pamjaftueshme, ai duhet të jetë shumë më i qartë dhe më i fuqishëm në kërkesën e tij për falje”, përfundoi kryeministri Pedro Sançez gjatë konferencës për shtyp.
GJESTE EDHE NË TRIBUNË? Më shumë sesa suksesi në Botëror, në Spanjë flitet rreth skandalit që ka mbërthyer presidentin e Federatës së Futbollit, Luis Rubiales. Puthja ndaj futbollistes Xhenifer Hermoso nuk ishte gjesti i vetëm që po bën zhurmë, kamerat kanë fokusuar Rubialesin gjatë festimeve në momentin kur gjyqtari i takimit vërshëlleu fundin e finales. Rubiales shihet qartë duke festuar në mënyrë të pahijshme, për më tepër që në krah kishte edhe Mbretëreshën e Spanjës. Por presidenti i federatës spanjolle nuk u përmbajt, teksa në entuziazëm e sipër, ai kapi organin gjenital, duke e festuar me një mënyrë të veçantë triumfin historik të vajzave iberike. Ndërkohë, në drejtim të Rubialesit ka ardhur edhe denoncimi i parë. Ka qenë presidenti i shoqatës së trajnerëve në Spanjë, Miguel Galan, i cili ka cilësuar gjestin e Rubialesit si ngacmim seksual të papranueshëm në sport.
PANORAMASPORT.AL