Mishel Platini rikthehet në Torino dhe sa herë që shkel në tokën ku kaloi shumë vite të bukura me bardhezinjtë rigjen edhe buzëqeshjen.
Ftesa në këtë rast lidhej me një turne goli të organizuar në nder të kujtimit të Xhanluka Vialit dhe pa dyshim që është ky është rasti më I mirë për të takuar mjaft miq të vjetër juventinë.
Mishel, jeni gati për turneun?
Unë s’jam kurrë gati, sidomos kur bëhet fjalë për të luajtur golf, ndonëse jam shumë pasi rikthehem në Torino dhe mbi të gjitha të takoj miq të ngushtë të vjetër si Masimo Mauro, Marko Tardeli, apo akoma më shumë për të nderuar kujtimin e një si Xhanluka Viali.
E ndoqët finalen e Champions-it?
Po, sidomos pjesën e parë. Por si i thonë, luhet gjithmonë me 11 vetë, ka një top në mes, por në Champions-in fiton gjithmonë Reali i Madridit. Ata kanë një miks eksperience, fati, kampionësh të mëdhenj dhe këto komponentë bëjnë që ata të fitojnë në fund, edhe kur nuk janë më të fortët. Në pjesën e parë e meritonte Borusia, por kur ke cilësitë e Realit… Fundja duhet vetëm një portier që të presë dhe një sulmues që të shënojë. Dhe pastaj ku ke atë Viniciusin… Është shumë, po shumë i fortë!
Po për Bellingamin, çfarë mendoni?
Sinqerisht e ka ndjekur pak këtë vit dhe nuk mund ta gjykoj. Por fakti që si mesfushor shënon aq shumë gola… Më duket se më kujton njërin (qesh, pasi i referohet vetes)
Sipas jush, Guardiola apo Ançeloti?
Nuk zgjedh,janë fantastikë që të dy. Kanë dy mënyra shumë të ndryshme të interpretimit të futbollit, por që të dyja janë shumë efikase.
Po Champions-i i ri, i cili do të marrë jetë nga sezoni i ardhshëm, ju pëlqen?
Nuk më pëlqen. Më duket një format idiot. Ka më shumë ndeshje, por vetëm për të mbledhur më shumë para. Nuk ka logjikë. Mendoj se ky ndryshim erdhi vetëm si presion i idesë së Super Ligës së Anjelit, Perezit e Laportës, ndonëse që të jemi të qartë, Super Liga do të bëhet një ditë. E sigurt!
Çfarë mendoni për Ceferinin dhe Infantinon?
Nuk janë askush dhe vijnë nga hiçi. Janë dy personazhe që janë në futboll prej pushtetit, por shefat e vërtetë të futbollit janë gjithmonë lojtarët e mëdhenj dhe atyre u dedikohet ekzistenca e tij. Janë Baxhot, Del Pierot, Mbapetë, Halandët, Klopërat, Guardiolat dhe Ançelotit…
Juventusi në këtë një vit e gjysmë ka ndryshuar shumë. Keni folur me Andrea Anjelin në këtë periudhë?
Jo. E di sesi mund të ndihet, por janë çështje personale. I uroj që gjithçka t’i shkojë mirë.
Tani është Xhon ai që komandon, por tifozëve nuk u duket shumë i pasionuar për të qenë në drejtimin e klubit. Ju e njihni mirë, apo jo?
Tifozët gabojnë. Ndoshta nuk është i apasionuar si gjyshi i tij, avokati Xhani Anjeli, apo i vëllai Umberto, por e do shumë Juven dhe është shumë i lidhur. Ndihet që e ka marrë me shumë seriozitet këtë impenjim shekullor të familjes së tij me Juventusin.
Pastaj, ka edhe përgjegjësinë e madhe të menaxhimit ekonomik të shoqërisë. Por ju siguroj se edhe nëse nuk e komunikon lidhjen e tij, ai e do fort Juven dhe i qëndron çdo ditë shumë pranë klubit.
Janë të shumtë tifozët e Juventusit që ëndërrojnë Platininë president. Çfarë mendoni për ta?
Nuk më kanë kërkuar dhe s’do të ma kërkojnë. Tani është momenti për të ëndërruar në fushë dhe për të menduar për rindërtimin e aspektit sportiv. Por të jeni të sigurt se Juventusi do të rikthehet. Është çështje cikli, por më thoni kur ka munguar ndonjëherë Juventusi në elitë?!
Tani duket e vështirë për të ëndërruar, sepse Juventusit i mungojnë për momentin lojtarët e klasit botëror…
Vlera e lojtarëve është rritur shumë, po kap yjet. Sigurisht që Mbape nuk mund të vijë tani te Juventusi, por është momenti për t’u treguar të zgjuar si Dortmundi… Duhen pikasur dhe iu dhënë shans të rinjve të talentuar, edhe pse e di që nuk është asnjëherë e lehtë, kur je i detyruar që të fitosh gjithmonë.
Sezonin tjetër, bluza me numër 10 duket e destinuar që t’i shkojë një djaloshi turk si Jildiz, që premton shumë. Ai thotë se është i frymëzuar që i vogël nga Del Piero…
Del Piero është frymëzuar nga unë, kështu që unë i bie të jem gjyshi i Jildizit (qesh)… Nuk e kam parë kurrë të luajë, sepse këtë sezon praktikisht nuk e kam ndjekur thuajse kurrë Juventusin.
Saktësisht 40 vite më parë po fitonit dhe po festonit, pas një dominimi të frikshëm në Europian. Çfarë kujtimesh keni nga vera e vitit 1984 dhe atij turneu me 9 gola në 5 ndeshje?
Ajo Francë atëherë kishte arritur maturinë në Botërorin e 1982 dhe ne më në fund kishim mundësinë që të fitonim diçka. Duhej vetëm të bindja shokët e kombëtares sime se kishte ardhur momenti. Kështu që ngrita mëngët edhe vetë dhe… ia dolëm! Ishte shumë bukur, fitorja e parë ndërkombëtare e Francës në një sport skuadre.
Mos ndoshta nga ajo fitore lind edhe fakti që edhe sot e kësaj dite Franca është gjithmonë mes favoriteve për çdo turne?
Atëherë s’ishim të ndërgjegjshëm që ishim lojtarë të mëdhenj, por më pas ishte një projekt madhështor i federatës sonë që programoi në perfeksion investimin dhe rritjen e një gjenerate të rëndësishme duke nisur që nga fëmijët e vegjël dhe të rinjve. Pikërisht nga ai projekt lindën më pas gjeneratat e lojtarëve që kanë bërë epokë dhe po bëjnë ende sot e kësaj dite.
Në Itali s’po lindin më Baxhot, Del Pierot apo Totit, ndërsa në Francë po. Pse?
Merita është e programit të federatës që siç thashë nis një punë të caktuar që kur fëmijët janë 5, 6 apo 7-vjeçar. Nëse në Itali nuk lindin më kampionët, atëherë duhet t’i thoni nënave dhe baballarëve që t’i lindin… (qesh) Çështja është që fëmijët duhet të luajnë dhe mbi të gjitha të lihen të luajnë më shumë në oborrin e shtëpisë, në parqe dhe mbi të gjitha në rrugë, pasi është aty që lind talenti dhe vetëm më pas mund të formohet në shkollat e futbollit. Por në mos gaboj, edhe Europianit e fundit e fituat ju italianët, edhe duke mos pasur ndonjë fenomen në fushë, apo gabohem?!
Franca, a mund ta fitojë këtë Europian?
Pa dyshim! Është mes favoriteve së bashku me Gjermaninë, Portugalinë, Anglinë dhe Italinë.
Është Mbape sot lojtari më i fortë në botë?
E vështirë ta thuash. I mungon Champions, por… është shumë i fortë!
Ju pëlqen puna e Didië Deshampit si trajner i përjetshëm i Francës?
Didië është shumë dinak. S’ka një punë të vështirë, sepse aktualisht Franca ka një gjeneratë të pafundme talentesh (qesh)… Pavarësisht shakave, Didië ka nuhatje dhe mbi të gjitha ka edhe fatin që të stërvisë skuadrën më të fortë në botë, ta rindërtojë e transformojë atë, pa pasur nevojë që të bëjë merkato. Ky është i vetmi luks.
Të kthehemi më pas, Juventusi i vitit 1983… Si ka mundësi që e humbët atë finale të Champions-it në Athinë? A nuk ishte ai Juventusi më i fortë i të gjitha kohërave?
Nuk e di nëse ishte më i forti, por nëse do të kishim fituar atë Champions kundër Hamburgut në 1983 do të kishim fituar të paktën edhe 4 të tjera radhazi. Në ato tri vite që unë isha fituam gjithçka dhe gjithmonë me përjashtim të asaj ndeshjeje të mallkuar në Athinë.
A mund ta shpjegoni sot pse nuk fituat atë mbrëmje?
E thjeshtë, sepse unë nuk shënova gol.
Po, por fituat më pas atë të mallkuarën e mbrëmjes së Brukselit… Pastaj fati më vonë vuri përballë Barcelonën dhe Realin më të fortë të historisë…
Ishim një tjetër skuadër në 1985, madje kishim humbur edhe Xofin, Xhentilen, Tardelin e Boniekun…
Kishit Laudrupin…
Shumë i fortë, por tepër i ri. Më të mirën e tij ai e dha më pas te Barcelona…
A do të rikthehet Juventusi të fitojë?
Po as që diskutohet. Futbolli dhe jeta përbëhen nga ciklet. Edhe pse kalon momente të vështirë, Juventusi di të rikthehet gjithmonë që të fitojë. E ka bërë dhe do ta bëjë gjithmonë. Rrini të qetë për këtë.
Mendoni se Tiago Mota është njeriu i duhur për ta rinisur?
Nuk e njoh dhe s’mund të them asgjë. Por dikush që çon Bolonjën në Champions do të thotë se është i zoti.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL