Sunday, 31. May 2026
Sport

Qindra të arrestuar në Francë pas festimeve të çmendura të Ligës së Kampionëve

GS 31/05/2026 3 Min. Lesezeit

Përleshjet mes tifozëve të futbollit dhe policisë në mbarë Francën kanë çuar në më shumë se 400 arrestime pas fitores së Paris Saint-Germain (PSG) në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit.

Mijëra policë u angazhuan për të frenuar trazirat, të cilat shkaktuan ndërprerje në shërbimet e autobusëve, trenave dhe transportit hekurudhor në kryeqytetin Paris.

Gjatë festimeve u hodhën fishekzjarre dhe flakadanë, ndërsa disa policë mbetën të lënduar në përleshje. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në qendër të qytetit.

Ndërsa kjo ishte një tjetër fitore për PSG-në, ajo u shoqërua edhe me një valë të re dhune të lidhur me futbollin, për të dytin vit radhazi, pasi edhe triumfi i ekipit francez në vitin 2025 kishte shkaktuar festime që përfunduan tragjikisht, shkruan BBC.

Pamjet nga Parisi duket se tregojnë flakadanë të ndezur, biçikleta elektrike që digjen në rrugë dhe festues që thyejnë xhamat e të paktën një lokali apo dyqani.

Avenuja e njohur Champs-Élysées u mbush me tifozë menjëherë pasi skuadra franceze fitoi pas ekzekutimit të penalltive. Më herët gjatë ditës, pati përplasje mes policisë dhe tifozëve që ishin mbledhur për ta ndjekur finalen në ekranet gjigante në stadiumin Parc des Princes të PSG-së.

Policia njoftoi se gjashtë automjete, dy biznese dhe një strehë autobusi u dëmtuan gjatë trazirave.

Ministria e Brendshme e Francës bëri të ditur se deri në orët e para të së dielës ishin arrestuar 416 persona, prej tyre 280 në Paris.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se shtatë policë janë lënduar dhe i cilësoi trazirat si “absolutisht të papranueshme”.

Liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, shkroi në rrjetin social X: “Vetëm në Francë fitorja e një klubi futbolli shkakton trazira”.

“Vetëm në Francë të gjithë ndihen të detyruar të mbyllen në shtëpitë e tyre në mbrëmjen e një fitoreje për të shmangur përballjen me dhunën”, shtoi ajo.

Lojtarët e PSG-së pritet të marrin pjesë në një paradë feste të dielën pasdite, e cila përfshin një marshim pranë Champ-de-Mars, afër Kullës Eiffel, si dhe një pritje nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Vitin e kaluar, triumfi evropian i PSG-së u njollos nga përleshje që lanë dy persona të vdekur, përfshirë një 17-vjeçar.

Teilen: