Sunday, 16. August 2026
Futboll

Rafael Leao përgënjeshtron zërat për përplasje me Amorimin

GS 16/08/2026 2 Min. Lesezeit

Rafael Leao ka reaguar ndaj raportimeve se marrëdhënia e tij me trajnerin e Milanit, Ruben Amorim, nuk është e mirë.

Në ditët e fundit, në mediat italiane dhe angleze është raportuar se Amorim e konsideron Leaon si një ndikim negativ në dhomën e zhveshjes dhe se mes tyre ka pasur përplasje.

Këto zëra janë shtuar edhe më shumë për shkak të pasigurisë rreth së ardhmes së sulmuesit portugez, i cili është përmendur si një nga lojtarët që mund të largohet nga Milani gjatë kësaj vere.

Megjithatë, Leao ka reaguar drejtpërdrejt ndaj këtyre pretendimeve. Në një postim në rrjetin social X, ku ishte shpërndarë lajmi për raportin e tij me Amorimin, ai ka komentuar në mënyrë ironike: “Ndoshta sepse po gënjen”.

Mungesa e Leaos në miqësoren e Milanit ndaj Manchester Unitedit kishte ngritur dyshime të reja për një situatë të tensionuar me trajnerin, por më vonë u bë e ditur se portugezi nuk luajti për shkak të një dëmtimi të lehtë.

Milani po përgatitet për sezonin e ri nën drejtimin e Amorimit, ndërsa e ardhmja e Leaos mbetet ende e paqartë.

Pavarësisht reagimit të futbollistit, nuk përjashtohet mundësia që të dyja palët të ndahen gjatë kësaj vere, veçanërisht nëse në “San Siro” arrin një ofertë që kënaq drejtuesit e klubit.

Tani mbetet për t’u parë nëse Leao do të vazhdojë aventurën me Milanin apo do të kërkojë një sfidë të re në karrierën e tij.

Teilen: