Wednesday, 21. October 2026
Sport

Rama me drejtuesit e sistemit bankar: Banka e Shqipërisë nuk u sulmua as në vitin 1997, kërkesat e studentëve do të adresohen

GS 21/10/2026 4 Min. Lesezeit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, ku u ndal te situata e krijuar nga protestat e fundit, aktet e dhunës dhe ndikimi që ato kanë krijuar në klimën publike dhe institucionale në vend.

Në fjalën e tij, Rama tha se ishte e rëndësishme zhvillimi i këtij takimi pas ngjarjeve të fundit, të cilat sipas tij kanë krijuar një trysni të madhe në opinionin publik dhe tek institucionet. Ai theksoi se ajo çfarë po ndodh nuk duhet krahasuar me trazirat e vitit 1997, pasi konteksti është krejtësisht i ndryshëm.

Sipas kryeministrit, vendi po përballet me një fenomen që lidhet me radikalizimin e një pjese të të rinjve dhe me ndikimin e elementëve të brendshëm dhe të jashtëm. Rama deklaroi se në qendër të Tiranës është krijuar një realitet që nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve.

“Është tepër e rëndësishme të kuptojmë se ajo që po ndodh nuk ka lidhje me fantazmat e së kaluarës dhe as me vitin 1997. Sot jetojmë në një realitet tjetër. Kemi të bëjmë me njerëz që përpiqen të imponojnë botën e tyre me gurë, zjarr, kërcënime dhe trysni, duke e kthyer një perimetër në qendër të Tiranës në një skenë ku shfaqen persona të maskuar që përballen me policinë”, u shpreh Rama.

Ai tha se jashtë kësaj zone ekziston një Shqipëri tjetër, e përbërë nga qytetarë që kanë probleme reale dhe kërkojnë zgjidhje konkrete, ndaj sipas tij institucionet duhet të tregojnë durim dhe qetësi maksimale.

Kryeministri shprehu solidaritet me Bankën e Shqipërisë dhe të gjithë sistemin bankar, duke i cilësuar bankat si garantët e kursimeve dhe investimeve të qytetarëve. Ai u ndal veçanërisht te sulmi ndaj Bankës së Shqipërisë gjatë protestave, duke theksuar se institucioni nuk ishte prekur as gjatë trazirave të vitit 1997.

“Jo guri që goditi Bankën e Shqipërisë. Kjo është një godinë që nuk është sulmuar as në vitin 1997, kur vendi kaloi një nga periudhat më të vështira, por u sulmua sot“, tha ai.

Rama deklaroi se qeveria nuk do të injorojë shqetësimet e ngritura nga studentët dhe qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore. Sipas tij, do të adresohen të gjitha problematikat përmes politikave dhe reformave konkrete, duke përmendur projektligjin për strehimin social të përballueshëm, i cili tashmë është dërguar në Parlament.

Ai theksoi se nisma synon të japë përgjigje edhe për një pjesë të problematikave që lidhen me studentët, veçanërisht përballë rritjes së çmimeve dhe vështirësive për të përballuar kostot e jetesës dhe strehimit.

“Kemi detyrimin të adresojmë problematikat e atyre që protestojnë paqësisht, por edhe të shumë të tjerëve që i mbështesin ata. Do të vazhdojmë me masat konkrete, përfshirë ligjin e ri për strehimin social të përballueshëm, i cili adreson edhe një pjesë të shqetësimeve të studentëve përballë rritjes së kostove dhe pamundësisë për të përballuar shpenzimet”, deklaroi kryeministri.

Rama u shpreh se situata aktuale do të kalojë, por shtoi se ngjarjet e fundit duhet të shërbejnë si reflektim për institucionet dhe politikëbërësit, në mënyrë që të jepen përgjigje më të shpejta ndaj problemeve sociale dhe ekonomike që shqetësojnë qytetarët.

 

/rtsh.al/

Teilen: