Friday, 24. April 2026
Sport

Ramadani lojtari më i mirë i ndeshjes, Leçe dhe Sassuolo ndalen në barazim pa gola

GS 18/10/2025 2 Min. Lesezeit

Në javën e shtatë të Serie A, Leçe dhe Sassuolo ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0, në një sfidë ku protagonist ishte mesfushori shqiptar Ylber Ramadani, i cili u shpall “Lojtari i ndeshjes” për paraqitjen e tij mbresëlënëse.

Trajneri i Leçes i besoi nga minuta e parë si Ramadanit, ashtu edhe Medon Berishës, që formuan një dyshe solide në qendër të mesfushës. Përballë tyre qëndroi portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, që me pritjet e tij mbajti të paprekur portën e Sasuolos.

Takimi ishte i luftuar, me shumë duele fizike dhe pak raste të pastra për gol, ndërsa Leçe arriti të neutralizojë sulmin e një skuadre që vinte pas dy fitoreve radhazi.

Ky barazim i jep Leçes një pikë të vlefshme, duke e çuar në kuotën e 6 pikëve pas shtatë javësh kampionat. Skuadra e Ramadanit ndodhet aktualisht në vendin e 14-të të renditjes, ndërsa Sasuolo humbet mundësinë për t’u ngjitur më lart në tabelë pas një serie pozitive ndeshjesh.

Ramadani, me ndërhyrjet e sakta, energjinë dhe qetësinë në ndërtimin e aksioneve, u vlerësua si më i miri në fushë, duke treguar edhe një herë rëndësinë që ka për Leçen në këtë fillim sezoni.

Teilen: