Gonçalo Ramos beson se ka fituar më shumë hapësirë te Portugalia, pasi ishte titullar në vend të Cristiano Ronaldos dhe shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Norvegjisë, në ndeshjen e dytë të grupit A4 të “Nations League”. Sulmuesi i Milanit luajti 81 minuta dhe me një parabollë mbi portierin Nyland vendosi takimin:
“Shënimi i golit më jep gjithmonë besim, pavarësisht nëse jam titullar apo hyj nga stoli. Gjëja më e rëndësishme është të kem minuta dhe të ndiej se jam pjesë e skuadrës. Më shumë sesa të mendoj nëse jam apo jo në hije, dua të ndiej besimin e trajnerit dhe shokëve të skuadrës”.
I pyetur nëse paraqitja e kishte ndihmuar të fitonte hapësirë, Ramos u përgjigj: “Do të thoja, po. Ishte një paraqitje e mirë, shënova golin e fitores dhe skuadra fitoi në një fushë të vështirë. Ndoshta kjo është më shumë një pyetje për trajnerin, por mendoj se po”.
Për golin, ai shpjegoi: “Para pasimit të portierit, pashë mesfushorin pas meje dhe e dija se ata rrezikojnë shumë duke luajtur në qendër. Kur ndërpreva pasimin, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte parabolla, sepse portieri ishte jashtë pozicionit. Si sulmues, çdo gol të jep besim dhe motivim, por mbi të gjitha, shënova në një fitore”.