Sulmuesi brazilian Raphinha është rikthyer në qendër të vëmendjes në merkato, me interesim të madh nga klubet e Arabisë Saudite, të cilat janë të gatshme të bëjnë një ofertë të jashtëzakonshme financiare.
Sipas El País, klubet e Superligës Saudite mund të ofrojnë rreth 90 milionë euro për transferimin e anësorit, ndërsa paga vjetore do të arrinte afërsisht 30 milionë euro.
Megjithatë, raporti thekson se paratë nuk janë faktori kryesor në vendimmarrjen e Raphinhas. Futbollisti synon të vazhdojë të garojë në nivelin më të lartë në Evropë dhe ka mbajtur të njëjtin qëndrim prej kohësh: prioritet mbetet suksesi sportiv, jo një largim i bujshëm për arsye financiare.
Interesimi vjen pas një sezoni të vështirë për 28-vjeçarin, i cili është përballur me lëndime dhe mungesë forme, duke humbur 23 ndeshje dhe duke qëndruar mbi 100 ditë jashtë fushave.
Së fundmi, ai është rikthyer në aksion dhe është sërish pjesë e planeve të trajnerit Hansi Flick te FC Barcelona, në një fazë vendimtare të sezonit.
Nga ana e klubit katalanas, një shitje e mundshme për 90 milionë euro do të ndihmonte ndjeshëm në lehtësimin e presionit financiar dhe do të krijonte hapësirë për investime të reja. Megjithatë, brenda klubit nuk ka presion që lojtari të largohet, duke lënë të hapur çdo skenar për të ardhmen e tij.