Klubi më i madh i basketbollit në vend, Sigal Prishtina ka bërë një reagim duke lëshuar një deklaratë zyrtare sa i përket çështjes së referimit në fazën gjysmëfinale të play-offit.
Prishtina ka insistuar së edhe faza finale e play-offit sikurse të gjitha ndeshjet tjera të sezonit, duhet të referohen nga gjyqtarët me intyegritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë.
Sipas Prishtinës, vetëm kjo mënyrë garanton gjykim të drejtë. Ditët e fundit është raportuar se në ndeshjet gjysmëfinale të play-offit, do të ketë edhe gjyqtarë të huaj pasi këto ishin kërkesat e klubeve elitare.
Megjithatë, thuhet se për këtë kanë reaguar gjyqtarët vendor, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë një kombinim të tillë.
Kështu që, Prishtina në deklaratën e saj ka insistuar se gjyqtarët vendor duhet të kenë përparësi, ndërsa ka propozuar që delegimi i tyre të bëhet me short dhe atë në praninë e mediave.
“Jemi PËR Gjykim të Drejtë, Gjyqtarë me Integritet të Plotë dhe Short për Caktimin e Gjyqtarëve të Ndeshjes. KB Sigal Prishtina, ashtu siç ka deklaruar vitin e kaluar dhe para pak kohësh në Kuvendin e Punës së FBK-së, mban qëndrimin se pllejofi, sikurse edhe të gjitha ndeshjet tjera të sezonit, duhet të gjykohen nga gjyqtarët me integritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë profesional, e kjo garanton gjykim të drejtë. Me plotësimin e këtyre kushteve përparësi për neve duhen të kenë gjyqtarët vendor”, thuhet në deklaratën e Prishtinës, ku është përmendur edhe rasti i edicionit të shkuar me gjyqtarët grek që tashmë janë suspenduar nga FIBA.
“Kur ka gjykim të drejtë nuk ka rëndësi nacionaliteti, sepse e kemi të freskët rastin skandaloz të gjyqtarëve të huaj grekë, tashmë të suspenduar nga FIBA, me të cilin dëshmohet se tendencat e këqija antisportive dhe korruptive nuk lidhen me nacionalitetin, por me integritetin moral të atyre që për obligim duhet ta kenë ndarjen e drejtësisë dhe kurrsesi favoret e bastoret. Ne jemi në favor të transparencës së plotë edhe sa i takon mënyrës së caktimit të gjyqtarëve për ndeshje. Propozojmë që pasi të jetë plotësuar kushti i integritetit, gjyqtarët të jenë pjesë e shortit në praninë e mediave dhe të dihet saktë se kush janë ata, e jo kjo të lihet në diskrecionin e atyre që këtë punë mund ta bëjnë për interesa ose favore të caktuara. Pra, gjykim të drejtë, gjyqtarë me integritet të plotë dhe short për caktimin e gjyqtarëve të ndeshjes. Me këto kushte të plotësuara, gjyqtarët vendorë duhet të kenë përparësi”.
Prishtina, të enjten prej orës 20:00 përballet me Vëllaznimin në ndeshjen e tretë të serisë çerekfinale të play-offit. Pas dy ndeshjeve të luajtura, rezultati i përgjithshëm edhe 1:1 dhe skuadra që e fiton ndeshjen e tretë, avancon në fazën gjysmëfinale ku e pret përballja me Trepçën.