Madhështia e derbit të Madridit, i cili ka vendosur finalet e Ligës së Kampionëve dhe duelet e voltazhit të lartë që kur Diego Simeone e ktheu Atletikon e Madridit në statusin e tij, transferohet në La Liga në një betejë emocionuese për kryesimin, e spërkatur me erëzat e “futbollit të një kohe tjetër” pas letrës së ankesës së Realit të Madridit për sistemin e arbitrimit dhe ngacmimeve të Atletikos në rrjetet sociale.Presioni që çdo gjyqtar tashmë ndjen në një ndeshje të La Ligës rritet. Aq më shumë kur flasim për një përballje si kjo mes Realit dhe Atletikos. Ndaj veç 22 protagonistëve në fushë, fokusi do të jetë edhe te paraqitja e Cezar Soto Grados, i ngarkuar për të vënë drejtësi në këtë derbi. Vëmendjes natyrisht që nuk i shpëton as Rikardo De Burgos Bengoetçea në VAR. Këto janë pasojat e një letre me të cilën Reali i Madridit tha “mjaft”, pasi u ndje i ndëshkuar në humbjen në shtëpinë e Espanjolit, që ka ngushtuar dhe diferencat në krye duke ngjeshur luftën për titull. Në fakt është vetëm një pikë diferenca mes Realit të vendit të parë dhe Atletikos së vendit të dytë që e bën edhe më pikante sfidën e sotme.
POLEMIKAT – Ndërhyrja jo fort sportive e Karlos Romeros (Espanjol) ndaj Kilië Mbape (Real) e shoqëruar vetëm me një karton të verdhë (duhej të ishte i kuq) ishte kashta që i theu shpinën devesë për pak durim që klubi i bardhë i kishte lënë stabilimentit të arbitrimit. Letra drejtuar presidentit të federatës spanjolle Rafael Lozan, me një kopje për Këshillin e Lartë të Sporteve (CSD), ka pasur efektin e kundërt për Realin, sepse i ka bashkuar të gjitha klubet kundër klubit të drejtuar nga Florentino Perez. Në këtë frymë jo dhe aq miqësore derbi i Madridit vjen plot madhështi. Derbi i Madridit në formën e tij më të mirë. Një kapitull i ri në betejën e përjetshme mes Karlo Ançelotit dhe Diego Simeones. Duel që zakonisht e shtyn secilën skuadër në kufijtë e forcës për të dalë fitimtare.
SHIFRAT – Përballë do të jenë golashënuesit më të mirë në shtëpi, me 28 gola për Realin në dhjetë ndeshje të ligës në “Santiago Bernabéu”, kundër skuadrës që ka pësuar më pak gola jashtë shtëpisë, Atletiko Madrid, me vetëm shtatë gola të pësuar në dhjetë ndeshjet e saj jashtë. Për Realin sigurisht që ky nuk është momenti ideal për një derbi, të paktën nëse i referohemi organikës. Skuadra është prekur edhe nga një seri dëmtimesh në mbrojtje, që e vë Ançelotin në telashe të mëdha. E gjithë mbrojtja titullarë është e dëmtuar, përveç mbrojtësit të majtë. Pa Karvahal, Rydiger, Militao, Alaba, italiani është i detyruar të ndryshojë pozicionin e Tçuamenit dhe t’i japë një rol titullari një lojtari të ri si Raul Asensio, i cili nuk ishte pjesë e ekipit të parë në fillim të sezonit. Simeone nga ana tjetër ka kaluar tetë vjet dhe dhjetë derbi pa mundur rivalin e tij të përjetshëm në “Bernabéu”.
Që nga 27 shkurt 2016, me 0- 1 të Antuan Grizman. Shumë kohë për Atletikon dhe trajnerin argjentinas. Që e di mirë se me një fitore sonte në mbrëmje i jep kryesimin në La Liga. Është një moment unik në vitet e fundit për Atletikon. Që nga fitimi i titullit të tyre të fundit në sezonin 2020-21, ata nuk e kanë ndier, pas gjysmës së parë të sezonit, se kanë aq shumë opsione për të konkurruar për kampionatin sa kanë tani. Një pikë prapa Madridit, tri pikë përpara Barcelonës, në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, në 1/8 e Ligës së Kampionëve… Një test për mbrojtjen më të mirë në pesë ligat kryesore evropiane, me vetëm 14 gola të pësuar në 22 ndeshje. Me gjysmën e takimeve që i ka mbyllur pa pësuar gol dhe me Oblak, që kthehet titullar në “Bernabeu” pas pushimit të së martës në Kupën e Mbretit kundër Getafe (5-0).
MOMENTI I SË VËRTETËS Titulli nuk do të vendoset sonte në mbrëmje, natyrisht. Por ky është momenti i së vërtetës. Fusha, golat, dyluftimet, sherret, goditjet nga këndi, pritjet e portierëve, janë gjithçka priten nga ky derbi që vjen më i nxehtë se zakonisht.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL