Real Madridi vazhdon ecurinë perfekte në La Liga, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në këtë fillim sezoni, pasi mposhti bindshëm Levanten 4-1 në transfertë. Kjo është hera e dytë që nga sezoni 1987/88 që ‘Los Blancos’ e nisin kampionatin me gjashtë suksese radhazi.
Ndonëse vendasit nisën me guxim dhe patën disa mundësi në minutat e para, gjithçka ndryshoi sapo madrilenët gjetën ritmin e tyre. Në minutën e 28-të, Vinícius Júnior hapi serinë e golave me një goditje të bukur me të jashtmen, duke thyer rekordin mbrojtës të Levantes që nuk kishte pësuar gol në gjysmën e parë këtë sezon. Vetëm pak minuta më vonë, talenti Mastantuono dyfishoi shifrat me një finalizim të saktë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në pjesën e dytë, Levante u rikthye në lojë falë një devijimi fatlum që i dha mundësinë Etta Eyong të shënonte golin e katërt personal sezonal. Por shpresat e vendasve u shuan shpejt: në minutën e 64-t, Kylian Mbappé shënoi me një penallti të stilit Panenka, ndërsa vetëm pak çaste më pas realizoi edhe golin e dytë personal, duke e bërë rezultatin të pakapërcyeshëm për levaten.
Me këtë sukses, Real Madridi jo vetëm që ruan kreun e renditjes me pikë të plota, por konfirmon edhe formën mbresëlënëse të ‘yjeve’ të tij. Ndërkohë, Levante mbetet në vendin e 16-të, me vetëm një fitore në 10 ndeshjet e fundit kundër madrilenëve.