Real Madrid ka ashpërsuar ofensivën ligjore në çështjen “Negreira”, duke i kërkuar zyrtarisht gjykatës që po heton skandalin të përfshijë deklaratat publike të ish-drejtuesve të Barcelonës: Joan Gaspart, Toni Freixa, Albert Perrin dhe Alfons Godall.
Lajmi u bë publik të dielën në mbrëmje nga ish-gjyqtari Xavi Estrada, i cili konfirmoi se klubi madrilen ka dorëzuar një kërkesë zyrtare ku i bën thirrje gjyqtarit të shtojë këto dëshmi në dosje.
Sipas padisë, Real Madrid thekson se ish-drejtuesit e Barcelonës, të cilët mbanin poste të larta në periudhën kur paguheshin shuma ndaj ish-shefit të gjyqtarëve Jose Maria Enriquez Negreira, kanë zbuluar publikisht “detaje të rëndësishme” që mund të ndihmojnë në vërtetimin e “natyrës korruptive” të transaksioneve të dyshuara.
Në kërkesë përfshihet edhe një masë hetimore për të verifikuar autenticitetin e deklaratave dhe lidhjen direkte të autorëve të tyre me klubin katalanas.
Një nga dëshmitë më të forta që Madridi ka vënë në dukje është ajo e Toni Freixa, i cili në një intervistë për Cadena SER pranoi:
“Kur bordi e zbuloi, arriti në përfundimin se ishte më mirë të vazhdohej, në rast se ndodhte diçka”.
Ai shtoi se pagesat ndaj Negreira-s nuk u ndërprenë asnjëherë, pavarësisht ndryshimeve të presidentëve.
FIFA dhe UEFA po e ndjekin nga afër zhvillimin e çështjes, me mundësinë e sanksioneve sportive nëse zyrtarisht konfirmohet korrupsioni.
Nga ana e saj, Real Madrid duket e vendosur të shkojë deri në fund, duke kërkuar që çdo deklaratë publike e ish-drejtuesve të Barcelonës të bëhet provë ligjore në dosjen “Negreira”.