Reali i Madridit do të jetë i fituar në “Sançez Piz juan” në një takim shumë të veçantë për skuadrën e drejtuar nga Karlo Ançeloti. Së pari, sepse kjo do të jetë ndeshja numër 3 mijë në historinë e klubit të bardhë. Dhe së dyti, pas 19 vjetësh do të ketë përballë Serxhio Ramosin, ishkapitenin e vet për vite me radhë që ka vendosur ta vijojë karrierën te Sevilja, klubi nga ku lindi si i tillë.
Klubi i bardhë ka marrë pjesë në të gjithë edicionet e Primera Division të zhvilluara që me themelimin e kampionatit spanjoll në vitin 1929. Nga këto 2999 takime të deritanishme, Reali ka fituar 1799 prej tyre, ka barazuar 599 dhe ka humbur 601.
Madrilenët kanë shënuar një numër rekord prej 6416 golash. Takimi i parë në La Liga për Realin e Madridit daton më 10 shkurt 1929, kur priste në “Chamartin” klubin Europa në javën përuruese dhe që përfundoi me suksesin 5-0 të Madridit.
Kujtojmë se Reali është klubi më i titulluar në La Liga me 35 tituj. Takimi numër 500 i Realit në La Liga daton më 16 nëntor 1952 me një fitore kundër Atletikos së Madridit 1- 2 në derbi.
Takimi numër 1000 ishte ai i 20 prillit 1969 me një fitore në ishujt Kanarie kundër Las Palmasit 0-1, ndërsa takimi numër 2 mijë i Realit në La Liga ishte ai i 1 qershorit 1997 me një goleadë kundër Ekstremadurës, 5-0.
Lojtari me më shumë ndeshje është Raul (550), ndërsa golashënuesi më i mirë është Kristiano Ronaldo me 312 gola në La Liga, ndërsa rekordin e fitoreve e mban Iker Kasijas me 334 të tilla.
Ndërsa për sa i përket stolit, trajneri që e ka drejtuar në më shumë takime në La Liga Realin është Migel Munjoz, plot 424 herë. Ndërkaq, risia e dytë është ritakimi i dytë i Realit me Serxhio Ramosin si kundërshtar.
Do të jetë e treta herë që ishmbrojtësi i Realit do të përballet me “los blancos”. Dhe për të tretën herë si një lojtar i Seviljes, asokohe në nisje të karrierës së tij, ndërsa tani në perëndim të saj.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL