Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të klubeve për meshkuj, Euroliga, vijon sezonin e saj të rregullt dhe përgjatë kësaj jave po luhen së bashku dy javë të saj, ajo e 30-ta dhe ajo e 31-të. Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar vijon të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport takimet më të spikatura.
Ato kanë nisur të martën dhe kanë vijuar të mërkurën me duelin më të spikatur të javës së 30-të, ndërsa të enjten ka ardhur drejtpërdrejt për sportdashësit një tjetër sfidë e bukur të javës së 31-të, ajo midis Partizanit të Beogradit dhe Realit të Madridit. Kjo ndeshje është karakterizuar nga barazpesha në 10-minutëshin e parë, që është mbyllur me shifrat 13-13, ndërsa edhe 10-minutëshi i dytë ka patur me të njëjtën tablo, edhe pse është skuadra mike që e ka fituar atë, 20-18, dhe duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me Realin e Madridit me vetën dy pikë epërsi, me shifrat 33-31.
Dhe gjigandja spanjolle do të tregojë dhëmbët pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, teksa e ka fituar bindshëm 10-minutëshin e 3-të, 35-23, dhe e thellon kryesimin pas një gjysmë ore lojë, me 14 pikë epërsi, 68-54. Megjithëse skuadra serbe e ka fituar 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit 22-20, është ajo spanjolle që e fiton gjithë ndeshjen 88-76. Të premten Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë në kanalin RTSH një tjetër sfidë të bukur të javës së 31-të, atë që do të vijë drejtpërdrejt për sportdashësit duke nisur nga ora 20:15, midis Panathinakosit dhe Barcelonës.