Reali i Madridit ka mundur Bilbaon, duke vendosur një tjetër gur drejt titullit të 36-të në historinë e vet në La Liga. Ajo që konsiderohej si një nga ndeshjet më delikate të mbetura në kalendarin e Realit deri në mbyllje të sezonit, ka rezultuar ndoshta më e thjeshtë.
Skuadra e Ançelotit e ka kontrolluar mjaft mirë takimin dhe ka shënuar pikërisht atëherë kur duhej. Një paraqitje që e ka vlerësuar me nota pozitive dhe vetë Ançeloti. “Besoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, ndoshta jo më të mirën, por jam shumë i kënaqur me fitoren. Gjithnjë pas pushimit është e rëndësishme ta nisësh mbarë dhe ne e kemi bërë. E kemi kontrolluar si duhet takimin dhe kjo më kënaq. Kjo ndeshje ishte një tjetër provë force për ekipin”. Ançeloti ka folur dhe për paraqitjen e Rodrigos dhe golat e tij. “Ai (Rodrigo) ka bërë një ndeshje mjaft të mirë dhe ka shënuar dy gola të mrekullueshëm. Këtë herë vendosa ta aktivizoj në krahun e majtë dhe besoj se e ka bërë mjaft mirë punën e tij”, shtoi italiani.
Ançeloti ka folur edhe për rikthimin në fusha të Eder Militaos pas 6 muajve jashtë. “Jam shumë i kënaqur për rikthimin e Militaos. Ka bërë një punë të madhe për t’u kthyer. Edhe publiku e ka vlerësuar rikthimin e tij. Ky është një lajm i mirë për të gjithë”, tha Ançeloti.
PANORAMASPORT.AL