Tuesday, 26. May 2026
Sport

Reali shuan ëndrrat e Inter-it dhe Como-s, Nico Paz do të kthehet në Madrid

GS 26/05/2026 2 Min. Lesezeit

“Los Blancos” kanë dy javë kohë për ta rikthyer fantazistin në ‘shtëpi’. Argjentinasi nuk do të shitet.

Fabregas shpresonte ta bante te Como, por Real Madrid i ka idetë të qarta. Nico Paz shumë shpejt do të ribashkohet me “Blancos” pas dy vitesh në huazim në Itali. Klubi madrilen, sipas “As”, ka dy javë kohë të aktivizojë klauzolën e riblerjes për 9 milionë euro.

Dyjavëshi filloi të dielën në mbrëmje, pas ndeshjeve të fundit të Serie A. Rikthimi i 21-vjeçarit në Madrid nuk ka të bëjë me procesin elektoral që ka rrëmbyer skenën këto ditë te Reali, ndryshe nga çfarë po ndodh me çështjen e trajnerit Mourinho.

Te Reali e konsiderojnë riblerjen e Nico Paz si një lëvizje me leverdi, prandaj dhe nuk kanë pasur asnjë dyshim në lidhje me operacionin, pavarësisht presingut të Como-s, që ka dashur ta mbajë lojtarin. Interes për Nico Paz ka pasur edhe Interi, që ka dalë hapur pas fjalëve të Javier Zanetti-s.

Argjentinasi, që do të marrë pjesë në Botërorin e verës me kombëtaren e tij, mund ta ndryshojë kontratën nga pikëpamja ekonomike, pas paraqitjeve shumë të mira që ka bërë në Itali.

Teilen: