Besiktas bën ofertë për Rebicin.
Besiktas raportohet se i ka paraqitur një ofertë Milanit për Ante Rebic.
Kroati nuk është në planet e Stefano Piolit dhe nuk është thirrur për t’iu bashkuar skuadrës për turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Gazeta Express.
Rebic nuk arriti të impresiononte për Milanin sezonin e kaluar, duke shënuar vetëm tre gola në 31 paraqitje në të gjitha garat.
Siç raportohet nga gazeta turke “SportsDigitale”, Besiktas ka paraqitur një ofertë konkrete për huazimin e 29-vjeçarit dhe tani është në pritje të një përgjigjeje.
Ka pak hapësirë për reprezentuesin e Kroacisë te “Rossonerët” tani pas ardhjes së Christian Pulisic dhe Luka Romero, teksa klubit italian do t’i bashkohen edhe Noah Okafor e Samuel Chukwueze.
Rebic ka kontratë të vlefshme me Milanin deri në verën e vitit 2025, por klubi është i prirur të lejojë largimin e tij për të ulur faturën e pagave dhe për të krijuar hapësirë për përforcimet e reja.
Ante Rebic ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 17 asistime në 123 paraqitje gjithsej për Milanin.