Wednesday, 1. April 2026
Sport

Red Bull në telashe, klauzola që “liron” Max Verstappen hyn në fuqi në verë

GS 01/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kontrata e pilotit holandez parashikon ndërprerjen, nëse në pushimin veror nuk do të jetë në vend të parë ose të dytë

Max Verstappen po torturohet nga dyshimet. Formula 1 nuk e argëton më, Red Bull nuk është kompetitiv dhe interesi i pilotit është spostuar drejt kompeticioneve të tjera sportive. Verstappen nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të garuar diku tjetër para se të mbushë 40 vjeç, por askush nuk e priste që ai moment të vinte kaq shpejt.

Përveç dëshirës së pilotit, duhen bërë llogaritë edhe me kontratën e rinovuar kohët e fundit. Gjatë bisedimeve, sipas “The Telegraph”, menaxheri i Max ka futur një klauzolë, që e lejon holandezin të “lirohet” që në pushimin veror, nëse ai nuk do të jetë në dy vendet e para të renditjes së pilotëve. Kushtet e Red Bull në këtë rast nuk lënë vend për përmbysje, Mercedes dhe Ferrari janë në avantazh dhe Verstappen mban vendin e 9-të aktualisht.

Verstappen duhet t’ia komunikojë vendimin e tij skuderisë brenda muajit tetor. Alternativat, për një pilot të nivelit të tij, nuk janë të shumta. Nëse vendos të qëndrojë në Formula 1, holandezi mund të bashkohet me një skuadër tjetër, Mercedes ose Aston Martin. Mund të qëndrojë edhe te Red Bull për ta provuar sezonin e ardhshëm, ose të marrë një vit sabatik për t’iu dedikuar garave në kategorinë GT3.

Teilen: