Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka qenë në shënjestër të specialistëve të futbollit dhe gjithashtu figurave të rëndësishme të bardhebluve ndër vite. Vendi i fundit në renditje e kishte vënë me shpatulla pas murit numrin 1 të klubit kryeqytetas, që tashmë ka gjetur rastin të përgjigjet, pa fjalë, por me një shfaqje demonstrative në dhomat e zhveshjes së skuadrës së tij që sapo fitoi derbin me Partizanin.
Halili zbriti në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, duke falënderuar lojtarët dhe duke zbuluar premion që do të shkonte për ta për këtë sukses që mund të ndryshojë fatin e sezonit.
“Erdha t’ju falënderoj, me durim ia arritëm të fitonim ndeshjen. Do t’ju thosha që është një ndeshje që e presin tifozët, të gjithë se është një luftë sportive e hershme. Unë shpresoj që ne të ecim drejt kësaj rruge. Kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme për të mbyllur fazën e parë. Më besoni që testi juaj dhe yni si klub janë tri ndeshjet e ardhshme që kemi për të mbyllur fazën e parë.
Sa i përket asaj që pritni, ne po bëjmë një premio sot që do të jetë 20 mijë euro. Ju falënderoj të gjithëve pa përjashtim dhe në veçanti do të falënderoja, pa i mbetur hatri askujt, Tabekun për grintën dhe djalin këtu (Voglin) që duhet ta merrni shembull. Dhe falënderimi më i madh juaji për mua do jetë kur nga akademia të fusim dy lojtarë që të luajnë gjithmonë. Shpresojmë të gjithë bashkë të bashkohemi e ecim para, të vendosim emrin e klubit tonë ku i takon”, tha Halili para lojtarëve.