Emir Sahiti ka zgjedhur të mos jetë pjesë e Kosovës në ndeshjet e shtatorit, duke dhënë një arsye që ka bërë bujë. Sulmuesi i Hamburgut ka zbuluar se vendimi për të mos iu bashkuar përfaqësueses ishte i tij, duke shprehur hapur pakënaqësinë ndaj zgjedhjeve të trajnerit Franko Foda.
“U ftova, por zgjodha të mos shkoj. Nuk kam problem me shokët e skuadrës. Disa e nisin titullarë edhe pse nuk luajnë prej muajsh. Unë luaj për Hamburgun dhe ndihem mirë. Nëse e meritoj, dua të luaj. Për këtë arsye nuk shkova këtë herë”, u shpreh Sahiti për median gjermane ‘Mopo’.
Deklarata e 26-vjeçarit vë në dyshim kriteret e trajnerit Foda për përzgjedhjen e formacionit, duke hapur një debat të ri rreth meritokracisë në Kombëtaren e Kosovës. Sahiti, i cili deri tani ka zhvilluar pesë ndeshje me fanellën dardane dhe ka shënuar një gol, kërkon të vlerësohet mbi bazën e formës që po tregon në klub.
Ky qëndrim i fortë i tij vjen menjëherë pas dy përballjeve të fundit të Kosovës: humbjes me Zvicrën dhe fitores ndaj Suedisë, që e mbajnë skuadrën ende në garë për objektivat kualifikues.
Me këtë deklaratë, Sahiti ka vendosur në qendër të vëmendjes të ardhmen e tij te përfaqësuesja, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Foda do të gjejë mënyrën për ta rikthyer sulmuesin në grup.