Laszlo Szaz është fitues i garës “Kulla 2025”, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës dhe atë të FIA CEZ.
Szasz përveç fitores vendosi edhe rekord të ri të shtegut. Distancën prej 5.6 kilometra, ai me Reynard e kaloi për kohën 03:05.685 minuta, koha e përgjithshme 06:20.002, me shpejtësi mesatare prej 106.104 kn/h.
Edhe vetë ai u shpreh i befasuar me rezultatin e arritur.
“Sinqerisht nuk e kam pritur një rezultat të tillë. Të shtunën makina nuk ishte shumë stabile, prandaj sot vendosa goma të tjera dhe disa ndryshime tjera të vogla. Këto komponente ndikuan të arrij këtë rezultat”, ka thënë Szasz pas fitores për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ai është shprehur shumë i kënaqur me mikpritjen, ndërsa ka falënderuar kryetarin Agron Dida dhe stafin organizativ të garës për organizim të shkëlqyeshëm.
Në fakt Szasz e përmirësoi rekordin e tij të arriitur në vitin e kaluar (03:08.028 minuta).
I dyti në plasmanin e përgjithshëm për FIA CEZ u rendit Gazmend Demolli me Mitsubishi Evo 9 me kohën 06:38:546 minuta (03:19.892 dhe 03:18.654).
Në podiumin e fituesve u gjend edhe garuesi nga Mali i Zi, Ivan Subotic, i cili me BMW pati kohën 06:50.658 minuta (03:25.420 dhe 03:25.238).
Në Kampionatin e Kosovës, në tri pozitat e para u renditën Gazmend Demolli, Kushtrim Bytyqi me Renault Clio dhe Ernest Daka me BMW.
Në plasmanin ekipor, Prizreni D&G u rendit në pozitën e parë me 90 pikë, pasuar nga AK Ferizaj me 82.5, Prishtina RT 70.5, DTM 22.5, AMTKK 18 dhe AK Kaçandolli me pikë.
Emocionues ishte edhe momenti kur doajeni i automobilizmit kosovar, Menduh Daka, doli në binë për të pranuar kupën e djalit të tij, Ernestit.