Titulli i fituar në Kosovë me Ballkanin është një tjetër sukses i Ilir Dajës që konfirmon absolutisht vlerat e tij si trajner.
Lojtarët e Ballkanit e festuan plotësisht triumfin ndaj Ferizajt, që i konfirmoi si kampionë të Kosovës për të dytën herë radhazi, por është një sukses që mbart vlera të mëdha edhe për Ilir Dajën, që fiton kampionatin e pestë në karrierën e tij si trajner.
Tekniku kryeqytetas e fitoi titullin e parë me Elbasanin në 2006, për të vijuar me suksesin tek Dinamo në 2008, me Skëndërbeun në 2018 dhe së fundmi dy titujt e fituar radhazi me Ballkanin në kampionatin kosovar.
Një karrierë e “çmendur”, e mbushur me lavdi dhe trofe si për të sinjalizuar që ai mbetet një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptar të 20 viteve të fundit.
Për të pasuruar koleksionin e tij të gjerë tanimë, shërbejnë edhe kualifikimet në kompeticionet e rëndësishme europiane.
Në 2017, Daja e kualifikoi Skëndërbeun në Europa League, pas një rrugëtimi të gjatë dhe sfidues ku më pas në play-off eliminuan një skuadër gjigande si Dinamo Zagreb.
Dhe në fillimin e këtij edicioni futbollistik, Ilir Daja i mundësoi suksesin më të madh Ballkanit në Kupat e Europës, duke kualifikuar për herë të parë një skuadër kosovare në skenën elitare të kontinentit, në Conference League.
Një kompeticion ku nuk munguan paraqitjet dinjitoze, nga ku Ballkani u largua me dinjitet.
Të gjithë këto suksese të Ilir Dajës, të shtrirë në një karrierë thuajse 20-vjecare plotësojnë më së miri një mozaik të plotë dhe të konsoliduar të teknikut kryeqytetas se si duhet të duket imazhi i një trajneri ideal që në cdo skuadër dhe në cdo ambient ka ditur të sjellë me vete fitoret, lojën e bukur dhe lavdinë.