Fitorja 14-0 e Francës ndaj Gjibraltarit të shtunën ka vendosur një rekord të ri historik, për sa i përket diferencës së golave në një eliminatore të vlefshme për një Europian apo Botëror, duke thyer atë të Gjermanisë ndaj San Marinos në shifra 13-0 në vitin 2006.
Mesa duket, ky rekord ka qenë i kërkuar, i urdhëruar nga trajneri Didië Deshamp pasi pjesa e parë ka përfunduar 7-0 për “gjelat”. Dhe kjo faktohet nga një video që ka nisur të bëhet virale, për sa i përket fjalëve dhe motivimit që ai i ka dhënë kombëtares franceze, në pushimin mes pjesëve, në dhomat e zhveshjes.
Por më e bukura është se as vetë Deshamp nuk besonte se mund të vendosnin një rekord botëror historik, por ai kishte kërkuar përmirësimin e rekordit të fitores së bluve, 10-0 ndaj Azerbajxhanit në nëntor 1995.
“Keni notat e mia maksimale për këtë pjesë të parë djema. Tani të bëjmë pak a shumë të njëjtën gjë edhe në të dytën. Dua të shoh që të bëjmë mirë gjërat e lehta dhe sa herë që të mundemi të shënojmë. Jemi 7-0, por për ne nuk duhet të ketë limite. Dua të njëjtën egërsi nga ana e të gjithëve.
Rekordi i kombëtares sonë është 10-0 dhe juve keni mundësinë që ta thyeni sot. Mos u përmbani djemve”.
U tha u bë, por jo 11, apo 12-0, por plot 14-0, shifra këto që hapin standartin e re rekord për sa i përket përfaqësueseve.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme Franca do ta mbyllë udhëtimin e saj në grupet eliminatore për “Euro 2024” ndaj Greqisë në transfertë, edhe pse “blutë” janë kualifikuar prej shumë kohësh dhe gjithashtu kanë blinduar vendin e parë në Grupin B, me 7 fitore në po kaq ndeshje të luajtura dhe plot 21 gola të shënuar e vetëm një të pësuar..