Shqipëria do të ketë një mision tepër të vështirë të hënën në mbrëmje.
Pasi i duhet të mposhtë një nga skuadrat më të mira në planet për t’u kualifikuar në 16 Kombëtaret më të forta të Euro 2024.
Të besuarit e Sylvinhos, ndonëse të ndodhur në “grupin e ferrit”, janë ende në lojë për të kaluar fazën e grupeve dhe për të shkruar historinë.
Spanja, me potencialin e madh që ka dhe atë që ka treguar ndaj Kroacisë e Italisë, është një nga kandidatet për të fituar Europianin në tokën gjermane.
Skuadra e Luis De la Fuentes është një nga tri skuadrat e vetme (+Gjermani e Portugali) që kanë marrë dy fitore në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Me kualifikimin e siguruar, spanjollët pritet të jenë më të lehtësuar e pa presionin e rezultatit apo kualifikimit. Diçka që djemtë kuqezi do të përpiqen ta shfrytëzojnë për të realizuar mrekullinë shqiptare në Dusseldorf.
Historia në përballjet me ekipin “La Roja” nuk është aspak pozitive. Pasi në të shkuarën jemi ndeshur në 8 raste me Spanjën, duke regjistruar po kaq humbje!
Iberikët mund të quhen në plot kuptimin e fjalës një “mace e zezë” për Shqipërinë, që u ka shënuar vetëm 3 gola dhe ka pësuar 31. Ndeshja e fundit u regjistrua në datën 26 mars të vitit 2022 në Barcelonë, takim që vendasit e fituan 2-1.
Gjithsesi, thuhet se gjithnjë ka një herë të parë. Dhe të gjithë në Shqipëri shpresojnë që ky të jetë rasti që ekipi kombëtar të marrë të parën fitore përballë Spanjës.
Një fitore krenarie dhe të paharrueshme, pasi bëhet fjalë për ndeshjen më të rëndësishme në histori për Shqipërinë.