Agjencia e huaj e lajmeve, Reuters, ka intervistuar trajnerin e Shqipërisë, Sylvinhon para ndeshjes së rëndësishme me Republikën e Çekisë.
Shqipëria është afër kualifikimit në Euro 2024 dhe ndeshjen e radhës e zhvillon të enjten me fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.net.
21 mijë biletat janë shitur brenda pak orësh për përballjen në “Air Albania”.
Silvinho i ka cilësuar si tri finale ndeshjet e mbetura.
“Ne kemi tre finale përpara nesh dhe duhet të përballemi me secilën me të njëjtin qëndrim që kishim deri më tani. Gjithçka fillon të enjten,” tha Sylvinho për Reuters.
Pas përballjes me Republikën Çeke, Shqipëria do të përballet me Moldavinë Ishujt Faroe, të cilët kanë një pikë nga pesë ndeshjet e tyre.
“Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm. Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese”, shtoi ai.
Agjencia e lajmeve ka shkruar se përvoja e Sylvinhos ngriti dyshime, por lëvizja e guximshme nga Armand Duka ka dhënë frytet e saj.
Nga tre trajner italian tek Sylvinho ka qenë një ndryshim i madh në filozofin e kombëtares.
Nga një futboll më defensivë, Shqipëria ka filluar të luajë një lojë sulmuese dhe atraktive.
Trajneri po ashtu ka treguar rendësin e të jetuarit në Shqipëri, sipas tij po të mos qëndronte në vend nuk do të kishte mundur ta “zbulonte” Jasir Asanin.
“Ne duhet të jemi këtu (në Tiranë) sepse aty do të zhvillohet puna jonë. Udhëtojmë shumë, takohemi me lojtarët, por databaza që kemi nga FA e Shqipërisë në Tiranë është e paçmueshme. Nëse nuk do të ishim këtu, ndoshta nuk do të kishim gjetur Jasir Asanin. Janë miliona shqiptarë … që jetojnë në mbarë botën. Ne po kërkonim një krahun e djathtë me këmbë të majtë dhe gjetëm Asanin. Na pëlqeu ajo që pamë menjëherë dhe ai ka qenë i mrekullueshëm për ne”.
Shqipëria kryeson Grupin E me 10 pikë nga pesë ndeshje, përpara çekëve që kanë tetë nga katër. /Lajmi.net/